Kovid-19, 33 të vdekur dhe 1422 të infektuar
Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 33 personave...

Virusi Korona u ka marrë jetën edhe 33 personave, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit nga 4.277 teste të kryera janë regjistruar 1.422 raste të reja me Covid-19. Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se janë shëruar 457 pacientë.
Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar gjithsej 124.910 raste, prej të cilëve 103.831 janë shëruar, kurse 3.607 kanë ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë informon se aktualisht në vend ka edhe 17472 raste aktive, 1537 prej të cilëve janë në trajtim spitalor, ndërsa ka edhe rreth 250 shtretër të lirë.
Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk rekomandoi masa të reja
Sipas autoriteteve shëndetësore, vendi ndodhet në pikun e valës së tretë të pandemisë, por Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk rekomandoi masa të reja. Mbledhja e radhës ku do të analizohet gjendja epidemiologjike u caktua për të martën e javës së ardhshme.
Aktualisht mbetet në fuqi ora policore prej orës 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit.
Filipçe: më 28 mars, në RMV 24 mijë vaksina AstraZeneca
Ndërkohë, vendi pret të dielën arritjen e mbi 24 mijë vaksinave të AstraZeneca-s. Lajmin e ka konfirmuar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, me anë të një postimi në Facebook. Ai ka thënë se më 28 mars në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë 24 mijë vaksina AstraZeneca, që do të sigurohen nga mekanizimi Kovaks.
“Këtë javë, më 28 mars, në 07:55, dërgesa e parë e 24,000 vaksinave të AstraZeneca-s arrin në Shkup përmes sistemit Covax”.
Ditën e njëjtë pritet edhe arritja e 3000 vaksinave ruse “Sputnik V”. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
