SHBA, policia vret 12-vjeçarin për një pistoletë lodër
Një tjetër adoleshent me ngjyrë bie viktimë e breshërisë së plumbave të policisë amerikane......

Episodi i fundit, që shkakton indinjatë në SHBA, është vrasja e një fëmije afro-amerikan vetëm 12 vjeç në Klivland, i qëlluar për vdekje në një kënd lojërash, derisa mbante në dorë një pistoletë lodër.
“Ata e qëlluan, ishte një djalë i vogël me ngjyrë”- u shpreh një qytetar.
Justifikimi i forcave të rendit është se djali nuk i është bindur urdhrit të efektivëve për të ngritur duart lart. Patrulla e policisë kishte nxituar për në vendngjarje pas një thirrjeje në numrin e emergjencave 911.
“Djaloshi kishte një armë në çantë dhe e nxori jashtë. Oficerët tanë qëlluan me dy plumba”- tha shefi i Policisë së Klivlendit- SHBA, Ed Tomba.
Por, disa dëshmitarë pretendojnë se ai që telefonoi e kishte përmendur mundësinë e një pistolete të rreme dhe kishte folur për moshën tepër të re të personit që ia drejtonte armën plastike njerëzve, duke e cilësuar edhe si “të zi”.
“Është një djalë me një pistoletë, me siguri është lodër ,por ai po ia drejton pistoletën të gjithë njerëzve përreth”- dëgjohet në thirrjen e një personi në polici.
Njëri nga policët e përfshirë në incident kishte 10 vjet eksperiencë pune, ndërsa tjetri i ishte bashkuar forcave lokale prej më pak se një viti. Që të dy janë pezulluar përkohësisht nga puna deri në përfundim të hetimit. Autoritetet e identifikuan 12 vjeçarin si Tamir Rice. (Migena Gorenca, TVM2)
