Maqedoni

VMRO-DPMNE: Vendi është shndërruar në varrezë nga pandemia

28.03.2021 15:26

VMRO–DPMNE akuzoi kryeministrin, Zoran Zaev, dhe ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe...

VMRO–DPMNE akuzoi kryeministrin, Zoran Zaev, dhe ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, se për shkak të paaftësive së tyre vendi është shndërruar në varrezë me mbi 30 të vdekur në ditë nga Kovid-19. 
 
Në reagimin me shkrim të partisë maqedonase në opozitë thuhet se pamundësia e Venko Filipçes për të siguruar vaksina i detyron qytetarët të shkojnë në Serbi për t'u vaksinuar dhe kjo pasi kjo qeveri është më shumë e interesuar për provisione sesa për shëndetin e qytetarëve. 
 
“Dhe jo vetëm që nuk ka vaksina, nuk ka ilaçe, qytetarët po luten për trajtim, por Filipçes kjo gjë nuk i intereson. E gjithë kjo që po ndodh, mungesa e vaksinave, largimi në një vend fqinj për vaksinim, fakti që Maqedonia është në fund të listës sipas përqindjes së popullsisë së vaksinuar dhe është lartë në listën e vdekjeve për milion banorë, është një disfatë për Filipçe dhe Zaev.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
LSDM: VMRO partia e vetme në dëm të shëndetësisë
 
Ndërkohë nga LSDM thonë se VMRO-DPMNE është partia e vetme që punon kundër sistemit shëndetësor dhe e vetmja parti që nuk mund të pajtohet që shteti do të fillojë vaksinimin.
 
“VMRO-DPMNE është e vetmja parti që dëshiron të përfitojë politikisht në kurriz të punës së madhe të punëtorëve shëndetësorë, pacientëve dhe familjeve të tyre. VMRO-DPMNE është e vetmja parti që minon sistemin shëndetësor dhe furnizimin e vaksinave. VMRO-DPMNE është partia e vetme që përmes portaleve të saj, përhap gënjeshtra duke dhënë karakteristika se cilat vaksina janë të mira dhe cilat jo, gjë që i çorienton qytetarët dhe shkakton dëme serioze në procesin e imunizimit dhe dëmtime të shëndetit të qytetarëve.”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. 
 
Alternativa: Të vaksinohen regjistruesit
 
Kritika në adresë të qeverisë për keq menaxhim me pandeminë edhe nga opozita shqiptare. Partia Alternativa ka kërkuar vaksinimin e regjistruesve. 
 
“Duke e marrë në konsideratë paaftësinë e Qeverisë së RMV-së për të menaxhuar me Covid-19, mendojmë se vaksinimi i menjëhershëm i regjistruesve dhe të gjithë atyre që marrin pjesë në procesin e regjistrimit është nevojë imediate.”,- theksojnë nga AlternAtivA.
 
SANIJE DURAKU