Botë
Shqipëri, nisi vaksinimi masiv i të moshuarve. Kosovë, sot arrin sasia e parë e vaksinave anti Kovid
28.03.2021 15:52
Në sheshin Skënderbeu në Tiranë, ka nisur vaksinimi i të moshuarave mbi 70 vjeç...

Në sheshin Skënderbeu në Tiranë, ka nisur vaksinimi i të moshuarave mbi 70 vjeç. Të vaksinuarit pas vaksinimit thonë se ndjehen mirë.
“Jashtëzakonisht mirë, nuk ndjeva asgjë.”,- tha një qytetar.
“Ne jemi pensionistë, unë kam disa probleme shëndetësore, kështu që sado diçka do të mundohemi.”,- theksoi një qytetar.
Brenda muajit maj do të kemi gjysmë milioni qytetarë të vaksinuar, deklaroi kryeministri Rama.
“Brenda majit do të kemi gjysmë milion shqiptarë të vaksinuar dhe kam bindjen e plotë që do të ecim shumë shpejtë, pasi kemi siguruar sasira të konsiderueshme vazhdojmë punën për të siguruar të gjitha sasitë e nevojshme dhe besoj shumë që ky sezon turistik do të jetë shumë i lehtësuar si rezultat i këtyre goditjeve që i bëhet zinxhirit të infektimeve.”,- u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Me ngritjen e dy çadrave të mëdha për vaksinim synohet që të arrihet objektivi për vaksinimin e 10 deri në 15 mijë vaksina në ditë. Vaksinimi masiv në Shqipëri ka nisur me 192 mijë dozat e vaksinës kineze Sinovak.
Për dallim nga Shqipëria në Kosovë, për here të pare sot pritet të arrijë sasia e pare e vaksinave anti Kovid. Bëhet fjalë për 24 mijë vaksinat të kompanisë AstraZeneca, të cilat në aeroportin “Adem Jashari” pritet të arrijnë rreth orës 20 e 15 minuta.
Ky kontingjent është në kuadër të 100.800 dozave të vaksinës së AstraZenecas që Kosova do të marrë falas nga programi Kovaks, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Kosova është vendi i fundit në rajon që do të nisë fushatën e imunizimit të popullsisë. Në mungesë të vaksinës, Shqipëria deri më tani ka vaksinuar rreth 500 punëtorë shëndetësorë të Kosovës me vaksinën e AstraZenecas.
GYLTENE SINANI
