Maqedoni

Kovid-19, në RMV arritën 24 mijë vaksina nga sistemi Kovaks

28.03.2021 16:44

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit arriti dërgesa e parë me 24 mijë vaksina të Kompanisë “AstraZeneka”...

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit arriti dërgesa e parë me 24 mijë vaksina të Kompanisë “AstraZeneka” të siguruara përmes mekanizmit Kovaks.
 
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, u shpreh se edhe përkundër vonesave mekanizimi Kovaks tregoi që është funskional. Filipçe njoftoi se me këto vaksina nga e mërkura do të fillojë imunizimi masiv i popullsisë. 
 
“Bëhet fjalë për 24 mijë doza të vaksinave të Kompanisë “Astra Zenka”, tani ne jemi të përkushtuar që sistemi i imunizimit të zbatohet në mënyrë të shpejtë dhe efikase dhe kemi paralajmërime edhe për arritje edhe të vaksinave tjera gjatë këtij muaji. Vaksinat së pari do të ruhen në frigoriferët tanë në Shkup, distribuimi kur do të zbatohet do të bëhet tek frigoriferët që tashmë ekzistojnë në shtëpitë e shëndetit, pra në punktet rajonale të vaksinimit. Është vaksinë që ruhet nga 2 deri në 8 gradë dhe mund të ruhet në çdo qytet.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. 
 
Vaksinat u sollën nga përfaqësues të OBSh-së, UNICEF-it dhe zyra rajonale e KB-së.
 
“Vaksinat janë refleksion në luftën ndaj virusit, derisa nuk vaksinohemi të gjithë nuk mund të jemi të sigurt, deri atëherë duhet t’iu përmbahemi masave.”,- tha përfaqësuesja e OBSh-së, Xhihan Tavila.
 
“Jam e kënaqur që këto vaksina, këto doza shprese, të financuara nga qeveria juaj, kanë arritur përmes COVAX-it sot. Të gjitha vendet kanë nevojë për qasje në vaksinat Covid-19 për të ndaluar pandeminë. Përhapja e shpejtë e Covid-19 ka demonstruar se asnjë komb nuk mund të veprojë i vetëm kundër një sfide globale.”,- u shpreh ambasadorja e SHBA-së në RMV, Kate Marie Byrnes.
 
“Jam shumë e lumtur që po arrijnë vaksinat edhe pse këtë e kisha dëshiruar 3 muaj më parë. Gjermania e bashkë-themeloi platformën e furnizimit dhe është donator i saj 2,1 miliard euro.”,- theksoi ambasadorja e Gjermanisë, (flet shqip) Anke Hollshtajn.
 
“Britania e madhe si një vendet e para donatore në Kovaks deri më tani ka siguruar 548 milion paund për KOVAKS si dhe 1.3 miliardë për t'i dhënë fund pandemisë së koronavirusit sa më shpejt të jetë e mundur.”,- deklaroi ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Gallovej.
 
“Bëhet fjalë për dërgesën më të madhe deri më tani në RMV. Me këto doza të reja do të mund të fillojë fushata masive e vërtetë për vaksinim. Kjo është vetëm fillimi pasi më shumë se 100 mijë doza janë paraparë në kuadër të këtij mekanizmi.”,- tha ambasadori i Francës, Siril Bomgartner.
 
“BE ka dhuruar 2.2 miliard euro në Kovaks mekanizmin, pasi vaksinat janë drita në fund tunelit të pandemisë.”,- theksoi shefi i Departamentit të Bashkëpunim në Delegacionin Evropian, Nikolla Bertolini.
 
“Vaksinat kundër virusit ofrojnë shpresë, por edhe përpos asaj që do të jenë të qasshme, duhet patjetër të kemi parasysh që masat preventive duhet të vazhdojnë edhe pas vaksinimit.”,- tha përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Xhovani. 
 
Paralajmërimi për dozat e ardhshme është që deri në prill duhet të arrijnë 100,000 doza, nga të cilat 76 mijë të kompanisë Astra Zeneka. Në mungesë të vaksinave për qytetarët edhe këtë vikend shtetas të shumtë të Maqedonisë janë vërejtur teksa kanë shkuar në Serbi për ta marrë vaksinën anti-Covid.
 
ZEKIRJA MEXHITI