Maqedoni

Përvjetori i anëtarësimit në NATO, Stoltenberg: RMV hyri në rrugën e stabilitetit

28.03.2021 17:10

Maqedonia e Veriut është aleate e vlefshme e NATO-s, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm I NATO-s Jens Stoltenberg...

Maqedonia e Veriut është aleate e vlefshme e NATO-s, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm I NATO-s Jens Stoltenberg me rastin e përvjetorit të parë të anëtarësimit të vendit në Aleancë.
 
Duke e cilësuar si vit të suksesshëm për vendin, Stoltenberg, në video mesazhin e tij tha se Maqedonia e Veriut si vend sovran ka vendin e saj në tavolinën e NATO-s  dhe votën e barabartë në miratimin e vendimeve me 29 shtetet tjera anëtare.
 
“Anëtarësimi në NATO, vendosi Maqedoninë e Veriut në rrugën e stabilitetit dhe prosperitetit. E rrethuar nga 29 vende mike dhe aleate, kjo është mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mirë për sigurinë rajonale dhe sigurinë transatlantike. NATO ndihmon në krijimin e stabilitetit që është themel i zhvillimit ekonomik. Maqedonia e Veriut është aleate me vlerë e NATO-s.”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
RMV, aleate e sigurt e NATO-s
 
Duke e quajtur vendin si eksportues të sigurisë, Stoltenberg, përshëndeti edhe pjesëmarrjen e pjesëtarëve të armatës në misionet e NATO-s.
 
“Bashkë me ministren e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, njoftova njësitë tuaja speciale që trajnoheshin në Shkup. Njoftova edhe trupat profesionale në Kabul që luftojnë terrorizmin. Maqedonia e Veriut është eksportues i sigurt i sigurisë.”,- u shpreh Stoltenberg.
 
LSDM: Realizuam një të arritur historike
 
LSDM-ja në pushtet, anëtarësimin në NATO e konsideron të arritur historike që garanton integritetin dhe sovranitetin e shtetit.
 
“S’ka më kërcënime mbi sigurinë tonë. Tani, pikërisht ne jemi ata që marrim pjesë në krijimin e politikave, në diskutime për çështjet aktuale dhe bashkë marrim vendime me aleatet tjera të NATO-s.”,- theksoi deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.
 
Socialdemokratët kritikojnë VMRO-DPMNE-në dhe liderin e partisë Hristijan Mickovski që s’ka uruar anëtarësimin e vendit në NATO e tanimë edhe përvjetorin duke dëshmuar se është në anën e kundërt të interesave shtetërore.
 
Për avancimin e armatës planifikimet qeveritare janë investim prej 2% të GDP-së deri në vitin 2024. Iniciativa e tillë është përshëndetur nga sekretari i NATO-s Stoltenberg i cili ftoi vendin në samitin e Aleancës që do të mbahet këtë vit, për të vendosur agjendën ambicioze për të ardhmen e NATO-s deri në vitin 2030.
 
MERAL ISMAILI