Maqedoni
ISHP “Shtëpia e Shëndetit” - Kumanovë, pajiset me aparaturë për testimin e “D-dimer exclusion ii”
28.03.2021 17:57
Laboratori në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë me kujdes po përcjell hulumtimet dhe të rejat...

Laboratori në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë me kujdes po përcjell hulumtimet dhe të rejat për ndryshimet tek të infektuarit me Covid-19.
Duke e parë mëse të nevojshme, në Laboratorin biokimiko-imunologjik në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit në Kumanovë është i instaluar analizator i ri imunologjik VIDAS nga prodhuesi me renome BioMerieux nga Franca.
Aparati ka kapacitet prej 80 analizash në orë, me çka shumëfishohet puna, por edhe do të shkurtohet koha e pritjes për marrjen e rezultateve.
Në këtë analizator imunologjik bëhen testet D-Dimer Exclusion II, i cili paraqet marker të rëndësishëm klinik për trashjen e gjakut, i cili shkaktohet nga Covid-19 dhe është njëri nga markerët më të rëndësishëm laboratorik për parashikimin e sëmundjes të shkaktuar nga ky virus.
“Kërkesat e fundit janë për D-Dimerat për t’i punuar, kjo është risi tek ne se deri tani nuk i kemi punuar, mirëpo me pajisjen me aparaturën e re, kjo përgjegjësi tash bie mbi ne dhe shërbimet mund t’i marrin përmes udhëzimeve nga mjekët amë, mirëpo strikt vlen vetëm për udhëzimet me diagnozën për Covid-19 pacientët.”,- tha drejtori i ISHP “Shtëpia E Shëndetit” – Kumanovë, Faruk Alili.
“Ne i përcjellim kërkesat e kolegëve mjekë amë, respektivisht numrin e rritur, andaj kemi shtruar kërkesë për aq sa ka nevojë të rritet numri i testeve për pacientët, që të mundemi të njëjtit t’i pranojmë përmes fondit.”,- u shpreh specialistja e medicinës biokimike në IShP “Shtëpia e Shëndetit” – Kumanovë, Milena Spasevska Dimovska.
“Deri tani kemi punuar me një aparat më të vjetër për realizimin e analizave të D-Dimerave, urgjentisht na e sollën aparatin e ri supermodern, patëm problem deri sa e kompletuam aparaturën, por tani me sukses do të realizojmë punën gjithashtu kemi kërkuar nga fondi dhe që na e kanë pranuar kërkesën për rritjen e numrit të analizave për Covid-19, sidomos për numrin e D-Dimerave.”, - u shpreh laboranti përgjegjës i ISHP “Shtëpia e Shëndetit” – Kumanovë, Xhemaledin Aliti.
Vlen të thuhet se në qytetin e Kumanovës ditëve të fundit po shënohet rritje e dukshme e numrit të të prekurve nga Covid-19, ku shifrat kalojnë mbi 80 të infektuar në ditë, si pasojë e rritjes së numrit të mjekët amë kërkuan me urgjencë që numri i testimeve për Covid-19 të rritet me qëllim parandalimin e infeksioneve të reja.
Në rajonin e Kumanovës që nga fillimi i pandemisë së Koronavirusit janë regjistruar 6625 të infektuar, aktualisht raste aktive kemi mbi 780, për fat të keq betejën me Covid-19 e kanë humbur 230 pacientë.
FATLUM AQIFI
