Çiçek – Veljanovski: Bashkëpunimi duhet thelluar

24.11.2014 13:25

Turqia vazhdon fuqishëm ta mbështesë Maqedoninë në rrugën e saj euroatlantike. Këtë edhe një herë e ka përsëritur në Shkup kryetari i Kuvendit të madh turk, Xhemil Çiçek, pas një takimi me homologun e tij maqedonas, Trajko Veljanovskin.....

Përveç mbështetjes euroatlantike, Çiçek dhe Veljanovski gjatë takimit kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ekonomik, gjendjen e bashkësisë turke në Maqedoni, si dhe zhvillimet aktuale në rajon.

“Turqia dhe Maqedonia janë dy vende mike, të cilat historikisht marrëdhëniet i kanë të thelluara. Marrëdhëniet  tona me Maqedoninë nuk janë ditore, por strategjike. Ruajtja e paqes dhe mirëkuptimi në këto hapësira të Ballkanit kalojnë nëpërmjet paqes, bashkimit, mirëkuptimit dhe stabilitetit në Maqedoni. Nga ky aspekt, ne fuqishëm e mbështesim integrimin e Maqedonisë në NATO, ndërsa me një vlerësim adekuat  dhe mbështetje, po i ndjekim përpjekjet e saj për anëtarësim edhe në BE”- deklaroi kryetari i Kuvendit të Turqisë, Xhemil Çiçek. 

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Turqisë japin një kontribut të madh jo vetëm për stabilitetin e rajonit, por edhe me gjerë. Një vëmendje të shtuar i kushtuam integrimeve euroatlantike dhe me këtë rast edhe një herë shpreha një falënderim për qëndrimin principiel dhe përkrahjen e Turqisë si anëtare e NATO-s”- tha kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.

Kryetari i Kuvendit të madh turk, Xhemil Çiçek, gjatë qëndrimit të tij në Shkup ka takuar edhe anëtarët e Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin turk, ka shkruar në librin e përshtypjeve, ndërsa është pritur edhe nga presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov. (Naim Ramadani, TVM2)

Foto: mia.mk