Botë
Covid-19, pandemia po izolon vendet evropiane
28.03.2021 20:01
Gjermania ka hyrë në fazën më të rrezikshme të pandemisë vlerësojnë autoritetet gjermane...

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn ka deklaruar se një bllokim i zgjatur 10 deri në 14 ditë është i nevojshëm për të vënë nën kontroll shpërthimin e COVID-19.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka paralajmëruar se gjatë disa javëve të ardhshme duhet synuar pakësimin e transmetimit të virusit në Gjermani për shkak se, ekziston rreziku i paraqitjes së llojeve të reja të virusit që do të jenë rezistent ndaj vaksinave.
Në Gjermani janë regjistruar mbi dy milion e 783 mijë të prekur nga koronavirusi, ndërkohë që numri i viktimave ka shkuar në rreth 76 mijë. Gjithashtu nga 30 mars udhëtarëve do t’u kërkohet të bëjnë një test COVID para nisjes, pavarësisht nga niveli i rrezikut të virusit në vendin e tyre të origjinës. Linjat ajrore do të pranojnë në bord vetëm pasagjerë me dëshmi negative të testit anti COVID.
“Nëse shikojmë numrat përfshirë rritjen e sotme do te kemi nevojë për të paktën 10 deri 14 ditë të izolohemi dhe t’ kufizojmë lëvizjen. Gjermania ka nevojë për një bllokim gjatë pushimeve të Pashkës të ngjashme me atë të vitit të kaluar, kur gjermanëve iu tha qartësisht të qëndronin në shtëpi dhe të shmangnin të gjitha kontaktet.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn.
Franca është në një situatë pandemike kritike e goditur nga një valë e tretë që po përshkon Europën, ndërsa shtoi kontrollet mbi ndalimin e udhëtimit.
Ndërsa Italia do të mbetet e mbyllur deri në maj dhe nga e hëna më shumë se gjysma e vendit do të jetë në zonën e kuqe. Me 24 mijë raste të reja dhe 450 vdekje në një ditë, qeveria konfirmon ashpërsinë maksimale edhe pas Pashkëve.
Ndërsa java që vjen sipas autoriteteve shëndetësore greke konsiderohet si tepër kritike për rrjedhën e pandemisë, me të dhënat e fundit epidemiologjike që vazhdojnë të jenë përsëri të larta.
REJHANE BUSHI METAJ
