Çairi, ndihmë për 9 familjet që zjarri ua dogji shtëpitë
Komuna e Çairit dhe Qyteti i Shkupit do të ndihmojnë financiarisht banorët e ndërtesës 9 katëshe, që u përfshi nga flakët të premten.......

Do të mbulohen të gjitha shpenzimet për zëvendësimin e instalimit elektrik në banesat e djegura, si dhe do të ndahen edhe të holla për t’u ardhur në ndihmë sadopak banorëve të dëmtuar.
“Me kryetarin, Koce Trajanovski, morëm përsipër këtë punë dhe u morëm vesh që ai të ndan një ndihmë fillimisht prej 50 mijë denarëve për familjet që janë të dëmtuara dhe po ashtu Komuna e Çairit të intervenojë deri tek EVN-ja, që të rregullohet instalimi kryesor i rrymës dhe mandej morëm përsipër të rregullohet instalimi i banesave të tjera. Një instalim i tillë kushton rreth 30 mijë denarë dhe për shkak se janë në gjendje të rëndë financiare, ne morëm përsipër si komunë t’i rregullojmë ato 9 banesa që kanë mbetur”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexheti.
Zjarrfikësit kanë qenë mjaft efektivë jo vetëm gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit në ndërtesën në “Cvetan Dimov”, por ata ishin mjaft të aftë dhe të shpejtë edhe pardje, gjatë zjarrit në lagjen “Dyqanxhik” të Shkupit. Por, ekipet e zjarrfikësve mendojnë se për këto fatkeqësi duhen stërvitur dhe edukuar edhe qytetarët, që të dinë si të veprojnë para se të arrijnë ekipet e specializuara.
“Komuna e Çairit ka ndarë një hapësirë të veçantë për edukimin e të rinjve të shkollave fillore dhe të mesme, në rast të situatave të jashtëzakonshme, fatkeqësive nga zjarri etj dhe ata do të mësohen se si të gjinden kur janë vetëm në shtëpi. Ne, 3 herë në vit vizitojmë shkollat në këtë komunë dhe i edukojmë nxënësit në praktikë se si duhet vepruar në rast të fatkeqësive eventuale”- tha shefi i Brigadës së Zjarrfikësve, Bllagoja Menkovski.
Aksionet e fundit, të ndërmarra nga Brigada e Zjarrfikësve, kanë rezultuar të suksesshme, duke reaguar në kohë për të shpëtuar jetën e banorëve të përfshirë në zjarre. (Rexhep Qamili, TVM2)
