Maqedoni
Takimi Zaev-Mickovski, kërkohet marrëveshje për regjistrimin
29.03.2021 15:02
Kreu i LSDMs-ë Zoran Zaev dhe ai i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski në një përpjekje për të tejkaluar dallimet rreth procesit të regjistrimit

Kreu i LSDMs-ë Zoran Zaev dhe ai i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski në një përpjekje për të tejkaluar dallimet rreth procesit të regjistrimit, i cili konformë ligjit duhet të fillojë pas dy ditë, përkatësisht nga një prilli. Takimi po mbahet në Klubin e Deputetëve, ku krerët e dy partive maqedonase, veç kësaj çështje do të diskutojnë edhe mundësitë për zhbllokimin e Kuvendit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve lokale por edhe mundësinë për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Para takimit Zaev deklaroi se pret të gjejnë zgjidhje të përbashkëta për realizimin e pandërprerë të regjistrimit.
“Pres që të gjejmë zgjidhje të përbashkëta që regjistrimi të realizohet pa probleme, me mbrojtje të plotë të shëndetit të qytetarëve dhe regjistruesve dhe i njëjti të mbështetet nga VMRO-DPMNE”- deklaroi për Agejncinë Informative Maqedonase, kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ai theksoi se mbetet i hapur për të diskutuar çështje në lidhje me punën e Kuvendit në mënyrë që të hiqen të gjitha bllokadat dhe të sigurohet punë e pandërprerë për të mirën e njerëzve, si dhe për temat në lidhje me zgjedhjet lokale në vjeshtë.
Nga VMRO-DPMNE informojnë se në tryezë, veç regjistrimit, do të vendosen edhe çështjet më të nxehta si çështja e qeverisë dhe dialogu për për funksionimin në Kuvend.
VMRO DPMNE nuk përkrahu Ligjin për regjistrimin dhe në vazhdimësi kërkon pezullim e këtij procesi. Nga ana tjetër opozita shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë dhënë mbështetje për ligjin për regjistrim dhe procesin e regjistrimit në përgjithësi.
SHPËTIM NUREDINI
