Likovë: Shqyrtim publik për ndërtimin e çerdhes në fshatin Mateç

29.03.2021 17:23

Për shkak të Covid-19...

Për shkak të Covid-19 Shqyrtimi publik për ndërtimin e Çerdhes në fshatin Mateç të Komunës së Likovës është mbajtur nëpërmjet video lidhjes, në të cilën pjesmarrësit kishin mundësinë që të njihen me projektin për ndërtimin e kësaj çerdheje.

Çerdhja do të jetë me kapacitet për përkujdesje të 102 fëmijëve, të moshës prej 8 muajve deri në 5 vjet.

Në shqyrtimin publik, qytetarët e interesuar dhe përfaqësuesit e palëve të përfshira detajisht janë njohur me planin grafik të objektit, përshkrimin e lokacionit ku do të ndërtohet, kapacitetin e saj, si dhe aktivitetet e parapara projektuese dhe ndërtimore të cilat janë të përshkruara detajisht në dokumentin “Vlerësimi i parë i kufizuar mbi mjedisin jetësorë dhe aspektet sociale gjatë ndërtimit të çerdhes të re në Komunën e Likovës.

“Është një objekt vital, i cili do kap vlerën rreth 750 mijë Euro, i njejti nuk ndërtohet vetëm për fshatin Mateç por edhepër fëmijët e fshatrave tjerë që janë përrreth fshatit Mateç, si për shembull ata të Nikushtakut, Ropalcë, Vishticë e Hotël, sa i përket atyre prej Likove e të tjerë do të regjistrohen në Çerdhen e fshatit Orizare. Mënyra e aplikimit kur kemi aplikuar më 2019-ën, kemi parapa se çerdhja është me kapacitet më të madh dhe një numër më i madh i fëmijëve të vendosen aty edhe atë prej moshës 8 muaj e deri në 5 vjeç”, - tha mes tjerash Musliji nga Komuna e Likovës.

Ndërtimi i çerdhes të re në Mateç është pjesë e Komponentës 2 nga Projekti për përmirësimin e shërbimeve sociale i Ministrisë për punë dhe politikë sociale, që është mbështetur nga Banka Botërore, qëllimi i të cilit është zgjerimi i qasjes dhe përmirësimi i cilësisë në sistemin për përkujdesje dhe edukim të fëmijëve të moshës parashkollore.

Ndërkaq sa i përket Çerdhes e cila gjendet në fshatin Orizare, aty për momentin janë të regjistruar mbi 60 fëmijë, edhe atë nga fshatrat Likovë, Orizare, Sllupcan, Vaksincë, Llojan, Opajë e Allashec. (Fatlum Aqifi, TVM2)