Zaev e Mickovski bien dakord, regjistrimi i popullsisë shtyhet për në shtator

29.03.2021 18:16

Regjistrimi i popullsisë amvisërive dhe banesave....

Regjistrimi i popullsisë amvisërive dhe banesave do të shtyhet për në shtator. Kreu LSDM-së, Zoran Zaev pranoi kërkesën e kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski që procesi i regjistrimit të fillojë më pesë shtator, në ndërkohë të vazhdojë procesi i regjistrimit të diasporës i cili ka filluar nga një marsi.

Për shkak të marrëveshjes për pezullimin e regjistrimit do të shtyhen edhe zgjedhjet lokale për dy javë, përkatësisht do të mbahen në pjesën e dytë të tetorit.

Sipas kryeministrit Zaev marrëveshja me Mickovskin ka pëlqimin edhe të partnerëve të koalicionit qeverisëës BDI dhe Besa.         

“Arritëm marrëveshje, që të pezullojmë regjistrimin e popullsisë në vend, duke filluar nga pesë shtatori deri 30 shtator. kështu që do të shtyhen edhe zgjedhjet që janë paraparë për pjesën e parë të tetorit do të shtyhen në pjesën e duytë të tetorit. E pranuam propozimin e z. Mickovski me qëllim që të gjithë të bëjmë thirrje për rregjistrim dhe përfundimisht pas 20 vjetë ta bëjmë këtë proces kaq të rëndësishëm.”  - u shpreh Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.   

VMRO DPMNE do të zhbllokojë punën në Kuvend

Për këmbim, VMRO DPMNE ka heqë dorë nga bllokimi i punës së Kuvendit dhe do të përkrah të gjitha pr/ligjet që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave, integrimin evropian si dhe pakot ekonomike dhe sociale. 

“Ajo që për momentin është frenuar në procedurat në Kuvend, u dakorduam se duhet të zhbllokohet, përkatësisht opozita dhe pushteti do miratojnë të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me procesin e reformave dhe integrimin e Maqedonisë në kuadër të BE-së, ligjet që kanë të bëjnë me përkrahjen e ekonomisë, përkrahejn e qytetarëve dhe përkrahje në luftën me pandeminë.” – deklaroi Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Zaev dhe Mickovski kanë rënë dakor edhe për ndryshimet në Kodin zgjedhor, ku përveç inkorporimit të rekomandimeve të OSBE ODIHR-it dhe aplikimit të terminaleve për të vënë gisht, grupet e punës të shqyrtojnë mundësinë për modelin zgjedhor, lista të hapura dhe një njëni zgjedhore.

Marrëveshjen me Mickovskin, kryeministri Zaev do ta diskutojë edhe me opozitën shqiptare, me të cilën ka lënë takim gjatë ditës së mërkurë për kërkuar zgjidhje për nënshtetësisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)