Maqedoni
Shtyrja e regjistrimit, ASh – Alternativa: Me badenter do të pengojmë shtyrjen
30.03.2021 15:25
Opozita shqiptare, Aleanca – Alternativa, kundër shtyrjes së regjistrimit dhe me mekanizmin e badenterit...

Opozita shqiptare, Aleanca – Alternativa, kundër shtyrjes së regjistrimit dhe me mekanizmin e badenterit në kuvend do të pengojnë çdo shtyrje të procesit statistikor. Qëndrimi i prerë u kumtua nga dy liderët, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi, të cilët kritikuan takimin e djeshëm të kryeministrit Zaev me kryetarin e VMRO-së Mickovski. Ky takim, sipas Selës, ka efekte zero politike, pasi për shtyrje vendos kuvendi.
“Efekte politike sa i përket koalicionit ASH – Alternativa, ky lloj takimi ka zero. Ne nuk do të lejojmë shtyrje të këtij procesi. Ligji për regjistrim bën pjesë në kategorinë e ligjeve I cili votohet me badenter dhe çdo ndryshim I këtij ligji kalon me badenter. Prandaj zëshëm, qartë, shkurt dhe shqip koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të shfrytëzojë këtë mekanizëm të badenterit në mënyrë që regjistrimi të mos shtyhet dhe të mbahet në afatet e caktuara.”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Zijadin Sela.
Takimi Zaev – Sela – Gashi, Sela: S’kemi ftesë, të gatshëm për bisedime
Dy liderët mohojnë të kenë pasur ftesë zyrtare për takim me kryeministrin Zoran Zaev, të mërkurën, por thonë se do ti përgjigjen pozitivisht ftesës nëse në takim debatohet ligji për shtetësi. Opozita shqiptare refuzon të bëj pazar politik të këtij ligji me regjistrimin.
“Në qoftë se do takim për të folur për temën që ne e kemi hapur si opozitë shqiptare që është ligji për regjistrim, të gatshëm në çdo moment, s;ka asnjë problem, ndërsa për temat të cilat ai i ka diskutuar me Mickovskin, nuk shohim se pse duhet të diskutojmë për ato tema.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Gashi: S’ka kompromis të regjistrimit për shtetësinë
“Nuk mund të bëjmë kompromis te ligji i regjistrimit për shkak të ligjit për shtetësi, janë dy gjëra shumë të ndryshme dhe të rëndësisë së madhe secila në vetvete dhe ne bëjmë betejë për të përmirësuar të dy proceset. Nëse arrijmë ligj të mirë për shtetësi i tërheqim amendamentet të cilat i kemi fut në procedurë për shkak të ligjit për shtetësi.”,- tha kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Por nga qeveria pohojnë mbajtjen e takimit me pjesëmarrjen edhe të ministrit të brendshëm, Oliver Spasovski, dhe ministrit të drejtësisë Bojan Mariçiq. Ata do të përpiqen të gjejnë zgjidhje për ligjin e shtetësisë.
“Nesër do të marrim pjesë në takim. Së bashku me kryeministrin e analizojmë gjendjen, kemi analizë të detajuar në pjesën se cilat janë problemet në marrjen e nënshtetësisë, cilat mund të jenë zgjidhjet, vetëm do të them se ato nuk mund të dalin jashtë praktikës ndërkombëtare dhe asaj që janë normativa të shtetit. Nuk do të doja të them asgjë shtesë momentalisht, sepse mendoj se nuk do të ishte e përgjegjshme nga ana ime që para takimit të paralajmërojmë çfarë do qoftë as të japim zgjedhje.”,- theksoi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
Megjithatë, opozita shqiptare këmbëngul se propozim ligji për shtetësi është përmbajtjesor dhe shumë me rëndësi për qytetarët që ndër vite nuk kanë shtetësi.
MERAL ISMAILI
