Maqedoni

MPJ e RMV-së, notë proteste për videon e VMRO-së bullgare

30.03.2021 16:05

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut i ka dërguar notë proteste Bullgarisë lidhur me videon e VMRO-së bullgare....

Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut i ka dërguar notë proteste Bullgarisë lidhur me videon e VMRO-së bullgare, sipas së cilës Maqedonia është bullgare. Nga Ministria e Jashtme e vendit theksojnë se këto deklarata nuk kontribuojnë në përpjekjet për thellimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit mes dy shteteve.
 
“Retorika në të cilën shprehen pretendime territoriale ndaj fqinjëve nuk i ngjan shteteve aleate në NATO dhe një shteti anëtar të BE-së, është në kundërshtim të drejtpërdrejt me idealet dhe vlerat e BE-së, për të cilat dy shtetet janë fuqishëm të angazhuara.”,- thekson Ministria e Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
 
Ka reaguar edhe Ministria e Jashtme bullgare, nga e cila distancohen nga videoja e VMRO-së bullgare, duke theksuar se Bullgaria nuk ka pretendime territoriale ndaj vendit. 
 
“Theksojmë që mesazhet e shprehura në video nuk shprehin pozicionin zyrtar të Qeverisë bullgare. Bullgaria nuk ka pretendime territoriale ndaj vendeve të tjera dhe kjo është deklaruar vazhdimisht.”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
 
Përmes videos së ilustruar me fotografitë e Car Samoilit e Goce Dellçevit, VMRO-ja bullgare zotohej se do ta mbronte historinë bullgare të Maqedonisë.
 
“Nuk mund të jetoni në shekullin 21 pa e pranuar shekullin 20! Sa më shumë që gënjeni, aq më shumë do të shkëlqejë e vërteta. Sa më ashpër ta trilloni tregimin tuaj imagjinar, aq më fuqishëm do të shkatërrohen themelet e rreme mbi të cilën e keni ndërtuar të tashmen mizore. Sa më shumë që e urreni Sofjen, aq më bullgar mbetet Ohri”, thuhet në videon e VMRO-së bullgare.
 
Kjo notë proteste e Ministrisë së Jashtme në Shkup vjen pas asaj të para disa ditëve nga Ministria e Jashtme bullgare për pengimin e futjes së rreth 1000 librave në RMV. Ndërsa Sofja e pati thirrur në bisedë ushtruesin e detyrës ambasador të Maqedonisë së Veriut për analizat e Institutit IFIMES, sipas së cilave Bullgaria ishte bërë mjet i ndikimit rus në rajon. 
 
ZEKIRJA MEXHITI