Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Mariçiq: Pritet të miratohen në muajin maj

30.03.2021 18:08

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë në procedurë parlamentare...

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë në procedurë parlamentare, ndërsa i njëjti parasheh edhe furnizimin me pajisje për shenjat e gishtërinjve, tha ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiq. Në këto ndryshime insiston VMRO-DPMNE-ja opozitare, kërkesë që u paraqit edhe në takimin Zaev-Mickovski. Ndryshimet duhet të përfshijnë edhe modelin zgjedhor dhe listat e hapura, si dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

“Nëse eventualisht arrihet marrëveshje në nivel politik duhet të presim diku në muajin maj. U përshpejtua në pjesën e pajisjes për shenjat e gishtërinjve që të mund të bëhet menjëherë, që t’i mundësohet KSH-së të bëjë furnizim nëpërmjet tenderit sipas të gjitha procedurave të nevojshme.”,- u shpreh ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.
 
KShZ: Presim ndryshimet ligjore
 
KShZ pret miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore për sigurimin e terminaleve për shenjat e gishtave gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale. 
 
“Presim të na informojnë për zgjidhjen kur ajo të miratohet. Sapo ta marrim këtë informatë dhe ajo të dalë në Gazetën Zyrtare, menjëherë do ta fillojmë procedurën. Në këtë moment nuk i kemi të njohura detajet. Koha është e shkurtër, pa marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndodhën, ndërkohë do të arrijmë ta realizojmë këtë obligim.”,- u shpreh kryetari i KShZ-së, Aleksandar Dashtevski.
 
VMRO-DPMNE: Ndryshimet rrisin besimin në procesin zgjedhor
 
Sipas marrëveshjes Zaev-Mickovski, zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 24 ose 31 tetor të këtij viti. 
 
“Mundësohet përdorim efikas dhe realizim të obligimit ligjor për përdorimin e pajisjeve për shenjat e gishtërinjve gjatë votimit, që i mundëson KShZ-së lidhje në mënyrë efikase me data bazën e MPB-së. Besojmë se këto ndryshime do ta rrisin besimin në procesin zgjedhor.”,- theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Të zhbllokohet puna e kuvendit
 
Për miratimin e ndryshimeve duhet të zhbllokohet puna e kuvendit theksojnë nga LSDM.   
 
“Kjo është në interes të qytetarëve dhe shtetit në interes të së ardhmes tonë të përbashkët. sidomos tani në kohë pandemie.”,- u shpreh Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM.
 
Nga LSDM theksojnë se në grupet e punës do të diskutohet mundësia për një njësi zgjedhore, lista të hapura dhe votimin e diasporës edhe jashtë përfaqësive konsulare diplomatike.
 
ASh: Për lista të hapura dhe 8 njësi zgjedhore
 
Opozita shqiptare është pro listave të hapura, ndërsa propozon që vendi të ketë 8 njësi zgjedhore, por po shqyrtojnë opsionin për një njësi zgjedhore. 
 
“Mendojmë se proporcionali me lista të hapura është një zgjidhje e mirë që do të duhet të bëhet sa më shpejt, jo vetëm për zgjedhje lokale por edhe për zgjedhje parlamentare. Te temat tjera, te njësitë zgjedhore, ne si Aleanca për Shqiptarët kemi propozuar tetë njësi dikur. Me partnerin e koalicionit jemi në diskutim për ta shqyrtuar edhe mundësinë e një njësie.”,- tha kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Partia e Majta e sheh të pranueshme që kryetarët e komunave të zgjidhen në një rreth zgjedhor, si dhe vendi të ketë një njësi zgjedhore. 


FITIM KRYEZIU