Maqedoni

BDI: Opozita shqiptare me reagime kontradiktore

30.03.2021 18:24

Lidhur me qëndrimin e opozitës shqiptare ka reaguar BDI e cila vlerëson se bëhet fjalë për reagime kontradiktore të opozitës....

Lidhur me qëndrimin e opozitës shqiptare ka reaguar BDI e cila vlerëson se bëhet fjalë për reagime kontradiktore të opozitës shqiptare të cilat flasin për mungesën e konsistencës dhe sinqeritetit të tyre ndaj qytetarëve. Opozita shqiptare ASH-Alternativa po manipulon me ndjenjat e shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe mërgimtarëve në tentativë të përfitimeve të vogla të politikës ditore. Përmes disa amendamenteve të propozuara nga grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës kërkuan që procesi i regjistrimit të popullsisë të prolongohet për një afat të caktuar edhe atë në amendament shkruhet nga muaji mars në maj, duke e ndërlidhur të njëjtën me krizën shëndetësore të shkaktuar nga COVID-19.

Të njëjtët, pasi dje u paralajmërua shtyrja e procesit të regjistrimit rezident, sot përmes kryetarëve të tyre, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi kundërshtojnë amendamentin e tyre dhe paralajmërojnë bllokimin e gjithë procesit. Kjo është vetëm një provë më tepër se gdhihen në mëngjes dhe ngrysen në darkë me qëndrime skajshmërisht të kundërta.
 
Me këtë rast Bashkimi Demokratik për Integrim dëshiron të përçojë deri tek qytetarët se përkrah që procesi i regjistrimit të mbahet nga data 5 e deri më 30 shtator, e njëkohësisht bën thirrje deri tek diaspora që të vazhdojnë të regjistrohen në platformën online https://census.stat.gov.mk/, nga data 1 mars e deri më 30 shtator, ndërsa ju siguron se çdo i regjistruar deri më tani dhe çdo një që do të regjistrohet deri me 30 shtator do të vlejë.