Maqedoni

Zaev dhe Shekerinska presin në takim ministrin kinez të mbrojtjes

30.03.2021 18:43

Ministria kineze e mbrojtjes do të angazhohet që vendi sa më parë të marrë vaksinat kineze...

Ministria kineze e mbrojtjes do të angazhohet që vendi sa më parë të marrë vaksinat kineze. Këtë qëndrim e shprehu ministri kinez i mbrojtjes, Gjeneral Vei Fenghe, gjatë takimit me kryeministrin, Zoran Zaev, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska.
 
Kryeministri Zaev në takim ka vlerësuar se kjo vizitë zyrtare e ministrit kinez është edhe një vërtetim i rëndësishëm i marrëdhënieve të mira në mes të dyja vendeve të cilat viteve të fundit kanë rritje pozitive. Të dyja vendet i plotësojnë obligimet e tyre nga Marrëveshja për bashkëpunim në sferën e mbrojtjes, veçanërisht në pjesën e arsimit dhe trajnimit ushtarak theksoi Zaev. Heqja e vizave, tha Kryeministri Zaev në takim, do të ndihmojë në realizimin e ambicies së tregtisë së të dy vendeve për të arritur që shkëmbimi tregtar vitin e ardhshëm të arrij vlerën prej 1 miliard dollarëve amerikanë, i cili në vitin 2020 arriti në 763 milion dollarë. Në takim, Kryeministri Zaev i bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes Gjeneral Vei Fenghe për të përcjellë në institucionet përkatëse në Republikën Popullore të Kinës që Maqedonia e Veriut pret të përshpejtojë shpërndarjen e 200,000 vaksinave nga kompania “Sinofarm” për t'u përfshirë në procesin e imunizimit në vend që do të filloj të mërkurën.