Maqedoni

Përpjekje e re për zhbllokimin e Kuvendit, Zaev dhe ministrat në takim me përfaqësuesit e ASH-AAA

31.03.2021 10:02

Pas takimit të së hënës me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, Kryeministri Zoran Zaev...

Pas takimit të së hënës me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, Kryeministri Zoran Zaev sot takohet me përfaqësues të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Takimi është një përpjekje për zhbllokimin e Kuvendit, puna e të cilit ka javë që është bllokuar për shkak të ligjit për shtetësi  dhe amendamenteve të paraqitura nga opozita shqiptare. 
 
Në takim marrin pjesë kryeministri Zoran Zaev, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Drejtësisë Mariçiq dhe koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski. Nga opozita shqiptare marrin pjesë koordinatori i grupit të ASH-AAA-së, Skënder Rexhepi dhe deputetja e Alencës për Shqiptarët, Ilire Dauti.  
 
 Zaev dje tha se në Qeveri ekziston vullneti të gjendet zgjidhje për propozim-ligjin për shtetësi, i propozuar nga ASH dhe AAA, që bazohet në praktikat evropiane.
 
Krerët e koalicionit Ash- AAA thanë dje se marrëveshja koncensuale për ligjin e shtetësisë mund t’i hapë rrugë debllokimit të ligjeve për të cilat opozita shqiptare ka deponuar mijëra amendamente. Por, potencuan  se nuk mund të bëjnë asnjë kompromis me regjistrimin dhe se shtyerja e këtij procesi nuk mund të jetë çmimi për ligjin e shtetësisë.
 
Presidenti Stevo Pendarovski, pret që në takim të arrihet kompromis dhe të zhbllokohet Kuvendi.