Maqedoni

Regjistrimi, Xheferi: Ligji aktual në fuqi, për ndryshime duhet kohë

31.03.2021 15:53

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, ia ktheu pas qeverisë propozimin për ndryshime në ligjin aktual për regjistrim...

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, ia ktheu pas qeverisë propozimin për ndryshime në ligjin aktual për regjistrim, për shkak se të njejtit i mungonin normat kryesore  që duhet të përcaktojnë saktë se çfarë duhet të ndryshohet dhe plotësohet. Kuvendi, po për shkaqe teknike, i kthehu propozuesit edhe ligjin për Kodin Zgjedhor. Deri në konvokimin e seancës për propozim ligjin e ri për shtyrjen e regjistrimit, mbetet në fuqi Ligji aktual.

 
"Kam pranuar dy pr/ligje që i kanë paralajmëruar grupi i deputetëve dhe qeveria, të cilët për çështje formale i kam kthyer deri tek propozuesit, që në afat prej 15 ditëve t’i rikthejnë sërish. Ligji për regjistrimin është kthyer për çështje teknike dhe Ligji për kodin zgjedhor gjithashtu për çështje teknike. Puna e parlamentit bazohet në procedura e afate që I përshkruan Rregullorja. Unë nuk mund të prejudikoj se ka marrëveshje mes liderëve dhe deputetët do të heshin vërejtjet për pjesën material të ligjit. Ky le të jetë një mësim se matematikat politike nuk duhet të bëhen jashtë institucioneve përkatëse.", tha Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit.
 
Kryeparlamentari mblodhi në takim koordinatorët e grupeve parlamentare për të përcaktuar dinamikën e zhbllokimit të Kuvendit, përfshirë ligjet e tjera që kanë ngecur prej kohësh në procedurë.
 
"Në parlament të papërmbyllura janë rreth 20 seanca sa janë konvokuar, sepse një pjesë janë bllokuar me amendamente, një pjesë nuk kanë kaluar në komisione e pjesa tjetër pret aktin e votimit sepse janë përmbyllur procedurat për debat.", tha Xhaferi.
 
Qeveria i miratoi një ditë më parë ndryshimet ligjore dhe ishte optimiste se nuk do të ketë pengesa për miratimin e tyre në Kuvend, por kryeparlamentari Xhaferi edhe një herë përkujtoi se Kuvendi punon në bazë të procedurave dhe jo në bazë të vullnetit të partive politike. Xhaferi u shpreh i zhgënjyer që vendimet e liderëve të partive më të mëdha, janë marrë në një takim ku ai nuk ka qenë i ftuar edhe pse të dy liderët e kanë pasur të qartë se procedurat për ndryshimet e ligjit për regjistrim, udhëhiqen në shtëpinë ligjdhënëse.
 
FLUTURA LATIFI