Maqedoni
16 ditë aktivitete kundër dhunës ndaj gruas
24.11.2014 16:36
25 dhjetori është “Dita ndërkombëtare e dhunës ndaj gruas”...

E shpallur si e tillë, pasi dhuna ndaj gruas është kthyer nga viti në vit në një dukuri tepër shqetësuese jo vetëm për vendet e varfra, por edhe për vendet me demokraci të përparuar.
Maqedonia i është bashkangjitur aktiviteteve ndërkombëtare me një fushatë 16 ditore kushtuar pikërisht sensibilizimit të opinionit për dhunën ndaj gruas, sepse të gjitha shoqatat e grave dhe jo vetëm janë të vetëdijshme se dhunës ndaj gruas duhet t’i jepet fund menjëherë.
Statistikat e shoqatave të grave dhe të MPB-së tregojnë se viktimat më të shumta të dhunës në familje janë pikërisht gratë.
“Në rrafshin e dhunës në familje fatkeqësisht mbi 90% e viktimave janë femra. Në raste të shumta, dhuna kundër tyre ushtrohet nga të afërmit, nga personat me të cilët jetojnë apo janë të lidhur. Kur filluam me masat intensive për promovimin e nevojës për të protestuar me zë kundër dhunës, është rritur ndjeshëm paraqitja e rasteve nga ana e viktimave”- deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Në botë, 603 milionë gra jetojnë në vende ku dhuna në familje nuk konsiderohet krim, pra kjo dhunë nuk është problem që prek vetëm Maqedoninë.
“Globalisht, çdo e treta grua është viktimë e dhunës fizike dhe seksuale, gati gjithmonë dhunuesi është burri, i dashuri apo ndonjë i afërm i saj. Dhuna ndaj grave është më e përhapur dhe më pak e pranuar si problem i të drejtave të njeriut. Ne duhet t’i themi ndal heshtjes dhe të motivojmë gratë të marrin guxim për të protestuar me zë”- tha përfaqësuesja e KB-së, UNDP-së dhe UNFPA-së, Luiza Viton.
70% e grave në botë kanë pasur përvojë të dhunës psikike ose seksuale në jetën e tyre, prandaj lufta kundër kësaj dhune nuk duhet të përfundojë vetëm me fushata në ditët ndërkombëtare, por duhet të zgjerohet gjatë gjithë vitit, duke nisur nga më e thjeshta, gratë që përjetojnë këtë dhunë nuk duhet më ta heshtin atë.
FARIJE DAUTI-BAKIU
