A jetohet dot me një rrogë në Maqedoni?
Edhe përkundër masave dhe programit qeveritar për rritjen e rrogave për të punësuarit, pagat në Maqedoni mbeten të pamjaftueshme për standardin jetësor dhe larg mesatares së vendeve evropiane. Statistika ka regjistruar një tempo shumë të ngadalshme të rritjes së rrogave pothuajse në të gjithë muajt që nga fillimi i vitit 2014.........

Sa mund përqindjet e këtilla të rritjes të ndikojnë mbi standardin jetësor, TVM2 pyeti sot qytetarët, të cilët ballafaqohen në mënyrë direkte me këtë problematikë.
“Me një rrogë mesatare që kemi në Maqedoni, nuk ka shanse të dilet, nuk mundet të jetojmë normal dhe t’i plotësojmë kushtet e familjes, pasi jo vetëm ushqimi, por edhe gjërat tjera duhen”- u shpreh një qytetar.
“Gjendja katastrofë është, rrogat janë të vogla, 250 euro është një rrogë, çka do të bësh me të, harxhimet nuk mund t’i mbulojmë”- tha një qytetar.
“Populli s’ka pare, s’dalin, siç e shihni edhe vetë, s’ka kokë njeriu këtu”- tha një pronarë i një lokali.
“Sipas standardit, çmimet janë të larta, papunësi e madhe, me asistencë sociale vështirë është. Për ata që kanë rroga të larta mirë është, por për klasat e ulëta dobët”- theksoi një qytetar.
Me të dhëna konkrete rreth shportës konsumatore doli Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë, sipas së cilës, për një familje 4 anëtarëshe nevojiten 32 mijë denarë në muaj. Në këtë shportë konsumatore janë përfshirë shpenzimet për banim, ato për higjienë, transport, kulturë, veshmbathje dhe shëndet. Përkundër kësaj përllogaritjeje, paga mesatare mujore në Maqedoni është vetëm 21 mijë denarë dhe punëtorët e thjeshtë vetëm mund të ëndërrojnë për një rrogë mesatare prej 32 mijë denarësh, sa u duhet për të kaluar normalisht një muaj.
Hulumtimi më i ri i agjencisë turke “Anadolia” tregon se Maqedonia mbetet në fund të listës së vendeve evropiane për nga lartësia e të ardhurave mujore. Rritje të rrogave ka në ndërtimtari, në veprimtaritë financiare, tregtinë me shumicë, industrinë për përpunim, ndërsa zvogëlim është regjistruar në veprimtaritë shërbyese, informacionet dhe komunikimet. (Valbon Bexheti, TVM2)
