Botë
Akuzohen për spiunazh, Italia dëbon dy diplomatët rusë
01.04.2021 09:51
Italia ka dëbuar dy diplomatë rusë të mërkurën nën dyshimet për përfshirje e tyre në spiunazh....

Italia ka dëbuar dy diplomatë rusë të mërkurën nën dyshimet për përfshirje e tyre në spiunazh. Të dy ata kanë punuar në zyrën e atasheut ushtarak të ambasadës. NJë ditë më parë u arrestua edhe një kapiten i marinës italiane. Ata akuzohen për “krime të rënda të lidhura me spiunazhin dhe sigurinë e vendit”.
Agjencia e lajmeve “Reuters” duke iu referuar një zyrtari të policisë italiane tha se kapiteni Walter Biot, akuzohet për dhënie informacioni në këmbim të 5,900 dollarëve. Agjencia italiane e lajmeve “Ansa’” raportoi se disa nga dokumentet e sekuestruara ishin dokumente të NATO-s.
Policia italiane tha se arrestimet ishin rezultat i një hetimi të gjatë nga zyrtarët e sigurisë kombëtare dhe ushtarakët. Pas arrestimeve, Italia thirri ambasadorin rus ndërsa dëboi dy zyrtarë rusë të dyshuar si të përfshirë në incident. Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio e karakterizoi incidentin si “jashtëzakonisht të rëndë”, njoftoi agjencia “Reuters”.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citonte një politikan rus, që ka deklaruar se do t’i përgjigjeshin me reciprocitet dëbimit. Por një zëdhënës i Kremlinit e minimizoi incidentin.
“Për momentin nuk kemi informacion në lidhje me arsyet dhe rrethanat e këtij ndalimi”, tha sipas CNN, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Gjatë muajve të fundit, edhe Bullgaria dhe Holanda kanë dëbuar zyrtarë rusë me akuza për spiunazh.
