Maqedoni

Skadoi afati për shtyrjet, nuk dihet nëse regjistrimi do të fillojë sot

01.04.2021 09:15

Afati i fundit për ndryshimet ligjore që do të shtynin fillimin e regjistrimit të shtatorit...

Afati i fundit për ndryshimet ligjore që do të shtynin fillimin e regjistrimit të shtatorit, skadoi mbrëmë në mesnatë. Edhe pas disa koordinimeve, partitë nuk arritën të dakordohen rreth  votimit të ndryshimeve. Sipas ligjit aktual, regjistrimi fillon sot, edhe përkundër marrëveshjes politike midis kryetarëtve të LSDM-së dhe VMRI-DPMNE-së, Zaev dhe Mickoski , që procesi të shtyhet për në shtator.

Kabineti i Kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi, informoi mbrëmë se grupi parlamentar ASh-AAA, nuk e pranoi fillimin e seancës për ndryshimet ligjore.
 
Koordinimi midis grupeve parlamentare vazhdon edhe sot, por tani për tani është e pasigurt se kur ndryshimet ligjore do të futen në rendin e ditës.
 
Zv/drejtori i Entit te statistikave Ilmi Selami, tha të martën për TVM2, se deri në sjelljen e një ligji të ri, Enti Shtetëror i Statistikave, e ka për obligim të respektojë ligjin aktual. 
 
Edhe ministri i drejtësisë,  Bojan Mariciq, ka deklaruar dje se, derisa nuk ka një ligj të ri, regjistrimi duhet të fillojë, regjistruesit duhet të dalin në terren  dhe të gjitha të dhënat të cilat do të grumbullohen,  do të merren parasysh edhe në afatin tjetër që dotë caktohet.
 
Por ende nuk dihet se si do të dalin regjistrusit në terren, përderisa regjistruesit tashmë janë deyruar të kthejnë laptopët e tyre në Njësitë Komunale të Regjistrimit.
 
Paqartësia rreth shtyrjes apo jo të regjistrimit, ka shkaktuar huti edhe tek mërgata. Aktualisht sipas të dhënave të mëngjesit në faqen zyrtare të ESHS-së, janë regjistruar 177.875 mërgimtarë. Për 24 orë janë vetregjistruar vetëm 987 mërgimtarë, që është numër i vogël në krahasim me ditët tjera kur kishte mesatarisht me nga katër mijë të regjistruar në ditë pune dhe mbi 10 mijë të vetregjistruar në ditë fundjave.