Maqedoni

Gjendja epidemiologjike në Strugë, stabile

01.04.2021 15:05

Gjendja epidemiologjike në Strugë është stabile....

Gjendja epidemiologjike në Strugë është stabile. Në krahasim me qytetet tjera në vend, ku për shkak të numrit të madh të të shtruarve kërkohen krevate spitalore, në Strugë ka vetëm 13 pacientë të hospitalizuar në repartin intern. Në spital janë duke u trajtuar pacientë të moshave prej 60 vjeç dhe shumica prej tyre janë me pamje të lehtë klinike. Spitali modular është pothuajse gati, me kapacitet prej 35 shtretër dhe me furnizim të oksigjenit, por ende nuk është hapur sepse deri më tani nuk ka pasur nevojë. Nga spitali thonë se situata është nën kontroll dhe janë të gatshëm të menaxhojnë edhe vale të re.
 
“Pacientët me Covid pozitiv dhe ata të cilët trajtohen nga kjo sëmundje janë të shtruar vetëm në repartin e internos për arsye se ne momentalisht i plotësojmë kapacitetet për trajtimin e këtyre pacientëve, por gjithmonë në kuadër të personelit mjekësor, resurseve njerëzore, i kemi vënë të gjitha resurset në dispozicion dhe jemi të përgatitur edhe për skenare të tjera.”,- tha drejtori i spitalit të Strugës, Armend Arsllani.
 
Qytetarët duan të vaksinohen
 
Struganët thonë se në këtë valë i respektojnë më shumë masat kundër Covid-19. Për sa i përket vaksinimit, shumë prej tyre duan të imunizohen, por ka edhe qytetarë të cilët
thonë se i frikësohen vaksinimit.
 
“Planifikoj të marr. Nuk jam regjistruar por besoj që do ta bëj këtë edhe pse unë e kam kaluar dhe në atë drejtim jam më i rezervuar.”,- u shpreh një qytetar.
 
“Unë jetoj në Austri dhe jam lajmëruar atje për vaksinën dhe si të më jepet mundësia do vaksinohem.”,- theksoi një qytetar.
 
“Po do të vaksinohem kur do ketë vaksina. Të moshuarit janë në fillim dhe unë pres radhë.”,- deklaroi një qytetar. 
 
“Jo, të them të drejtën kam frikë.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Nëse ka, do të vaksinohem, nëse marrim pse jo.”,- tha një qytetar.
 
Në këtë valë të pandemisë, në Strugë numri i të infektuarve është 3 herë më i vogël në krahasim me Ohrin. Ndërsa në fillim të pandemisë, Struga ishte ndër më të prekurit, ku numri i të infektuarve dhe viktimave ishte shumë i lartë.
 
ILMIJE ZHAKU