Maqedoni

Qosja: shembullin e Çairit ta ndjekin edhe komunat e tjera

24.11.2014 17:27

Akademiku, Rexhep Qosja, ka kryesuar delegacionin e më shumë shqiptarëve dhe artistëve nga Shqipëria dhe Kosova që sot vizituan Komunën e Çairit...

Qëllimi i vizitës ishte informimi për zhvillimet shoqërore, kulturore dhe shkencore në vend, si dhe sugjerimet për avancimin e çështjes shqiptare. 
 
“Për ne është një ditë e veçantë, falënderova në emër të qytetarëve dhe bëra një kërkesë që ta kemi sa më shpesh në mesin tonë, sepse nëse dikur ka qenë kjo nevojë e Kosovës, tani është nevojë e shqiptarëve të Maqedonisë, që të dëgjohet zëri i akademikut, për një komunikim më të mirë të shqiptarëve gjithandej”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Populli shqiptar duhet të tregojë një përkushtim të madh ndaj krijimtarisë shpirtërore, tha akademiku, Rexhep Qosja, sepse kohëve të fundit po tregohet një shpërfillje ndaj kulturës. Shembulli i kryetarit tuaj duhet të ndiqet edhe nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri, shton ai.
 
“Kryetari i kësaj komune të bëhet shembull edhe për të tjerët në Shqipëri dhe Kosovë, që të rritet interesimi i tyre për këtë fushë të jetës sonë, më pak a më shumë të shpërfillur deri sot”- u shpreh akademiku, Rexhep Qosja.
 
Në shenjë falënderimi, kryetari Mexhiti i dhuroi figurën e Skënderbeut akademikut Qosja, i cili me veprimtarinë e tij prej studiuesi, kritiku, shkrimtari, eseisti, me punën e tij shkencore ka arritur të ngjitet në piedestalin e shkencës shqiptare.
 
FLUTURA LATIFI