Maqedoni
Kumanovë, nxehen prindërit, policia qetëson situatën
24.11.2014 17:33
Prindërit e nxënësve nga Likova, të cilët mësojnë në Gjimnazin “Sami Frashëri“ në Kumanovë, sot sërish kanë protestuar për mospagesën e shpenzimeve për transportin e tyre...

Për dallim nga protestat e ditëve të kaluara, sot ato ishin më masovike, duke bllokuar hyrje-daljen në objektin e shkollës, madje në një moment u evitua edhe eskalimi i situatës. Më pas u desh të asistojë edhe policia, për të zhbllokuar hyrjen në shkollë.
Ndërkohë kryetari i Kumanovës, Zoran Damjanovski, organizoi një konferencë për gazetarë, në të cilën njoftoi se me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, lidhur me problemin në fjalë, tash tre muaj janë duke shkëmbyer shkresa.
Njëherit ai theksoi se nuk ka baza ligjore për të bërë pagesën e transportit të nxënësve nga Likova, siç bëhet për nxënësit e shkollës së ekonomisë, bujqësisë e teknikës, pasi që në territorin e komunës fqinje ekziston gjimnazi.
Mirëpo megjithatë ai i bëri apel ministrit të Arsimit dhe Shkencës, që të ulen e të bisedojnë në interes të nxënësve.
Ndërkaq, në një prononcim për gazetarë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ishte decid se Komuna e Kumanovës e ka për obligim t’i heq shpenzimet e transportit të nxënësve.
Nga ana tjetër, prindërit nuk heqin dorë nga kërkesat e tyre, andaj paralajmërojnë vazhdimin e protestave.
NEXHAT AQIFI
