Maqedoni
Fillojnë punimet për Tetarin dhe Bibliotekën e Tetovës
24.11.2014 17:43
Pas përfundimit të procedurave juridike, kanë filluar punimet për ndërtimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës...

Ky objekt në opinion viteve të fundit është përfolur aq shumë, megjithatë pa ndonjë rezultat final.
Tetovarët dhe artdashësit tetovarë me padurim e kanë pritur këtë objekt dhe tanimë shumë shpejt pritet të hidhen edhe gurthemelet për ndërtimin e kësaj godine grandioze.
“Tashmë për opinionin më të gjerë të Maqedonisë është e njohur se kemi ardhur në përfundimin e fazave që kishin të bëjnë me procedurat juridike për realizimin e projektit Teatër dhe Bibliotekë në qytetin e Tetovës, ky një imperativ i kamotshëm jo vetëm i institucioneve të drejtuara nga shqiptarët, por e të gjithë artdashësve dhe qytetarëve të Tetovës dhe para pak ditësh është nënshkruar një kontratë dhe me të është definuar edhe kryerësi i punimeve, për njohuri të opinionit është “Urban Plan Construction”, e cila në afat prej tre vjetësh duhet ta realizojë këtë projekt, për të cilin janë siguruar edhe mjetet nga Ministria e Kulturës, gjegjësisht Qeveria e Maqedonisë”- deklaroi drejtori i Qendrës së Kulturë-Tetovë, Haki Fazliu.
Drejtori, Haki Fazliu, tha se gjatë ditëve në vijim do të bëhet largimi i të gjitha barakave dhe se javës që vjen do të fillojnë punimet për ndërtimin e këtij objekti.
Sipas marrëveshjes, është paraparë që kryerësi i punëve t’i kryejë punimet për tre vjet dhe se në vitin 2017 të bëhet hapja solemne e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës.
MIFTAR EMINI
