Maqedoni

Gostivar, filloi vaksinimi kundër Covid 19

02.04.2021 14:56

Që nga ora 8 e mëngjesit, në një pikë të veçantë në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar...

Që nga ora 8 e mëngjesit, në një pikë të veçantë në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar, filloi vaksinimi kundër virusit korona. Terminet janë caktuar në çdo 10-15 minuta me qëllim që të mos ketë grumbullim të qytetarëve. Në ditën e parë të vaksinimit, janë paraqitur 47 qytetarë. 
 
"Deri më tani gjithçka shkonë në rregull dhe sot kemi të paraqitur 47 pacientë të cilët duhet të vijnë dhe të vaksinohen. Do apeloja deri te qytetarët të cilët kanë termin nga mjeku amë me vete të kenë edhe letërnjoftim, pasi duhet edhe të identifikohen dhe jo vetëm me udhëzim nga mjeku amë ose vetëm me librezë shëndetësore mund të vijnë.”, tha Dafina Bogdanovska, mjeke nga Shtëpia e Shëndetit në Gostivar.
 
Çifti bashkëshortor Ramadani nga fshati Negotinë ishin pacientët e parë që u vaksinun kundër Kovid me vaksinën Astra&Zeneca. Pas tyre vaksinën e morën edhe të tjerët.
 
“Mirë jam, dhe falenderohem që u vaksinova. Jam e kënaqur pasi bëhet fjalë për shëndetin tim. Për shëndetin e tyre, apelojë edhe të tjerët të vaksinohen.", tha Lirije Ramadani.
 
"Unë pas pesë apo gjashtë muajsh do të vaksinohem pasi jam pak më ri dhe ende nuk i kam mbushur 77 vjet. Bashkëshorten e paraqiti nipi nga Shkupi, kurse unë jam paraqitur përmes mjekut amë prej ku na dërguan letër dhe na njoftuan për kohën e vaksinimit dhe plotësuam çka duheshte dhe sot ja jemi këtu.", tha Punisha Gruevski.
 
“Jam paraqitur pasi e di se është një gjë e mirë për shëndetin. Duhet të gjithë të vijnë të vaksinohen që ta mposhtim kovidin. Ndryshe, pa vaksinë asgjë nuk bëhet.", tha Bllagica Apostolloska. 
 
Para vaksinimit, dy vullnetarë të Kryit të Kuq ndihmonin pacientët të plotësonin formularet me të dhënat e tyre. 
 
LULZIM HAZIRI