Maqedoni

Deklarimet e Mickovskit, Zaev i prerë, edhe diaspora regjistrohet

02.04.2021 15:02

Deklarata e kreut të opozitës maqedonase Hristrijan Mickovski se “diaspora evidentohet...

Deklarata e kreut të opozitës maqedonase Hristrijan Mickovski se “diaspora evidentohet, e nuk regjistrohet” ka ngjallur reagime të shumta në opinion dhe ka ngritur shumë pikëpyetje. Në lidhje me këtë deklaratë është sqaruar kryeministri Zoran Zaev, i cili siguroi se diaspora do të regjistrohet. Sipas tij, të dhënat që do ti marrin nga regjistrimi i diasporës janë të rëndësishme për të krijuar politikat shtetërore.  
 
“Nuk është në rregull që diaspora të na duhet kur duhet të na votojë, të na sjellë para, kurse të mos na duhet kur duhet ta regjistrojmë, kur i ndihmon familjet. Diaspora është populli ynë, sot është jashtë, nesër mund të jetë këtu. Mund të ndodh që nesër, ndokush nga ne të dalë jashtë. Ai është populli ynë. Ne e regjistrojmë tërë popullsinë, pa dallim a është në shtëpi, apo jashtë.”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
 
Deklarimet e Mickovskit, Selami: Diaspora regjistrohet, politika luan me fjalë
 
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski edhe dje konfirmoi atë që deklaroi në pres konferencën e së hënës, se diaspora evidentohet e nuk regjistrohet, e në fund si të dhëna zyrtare për regjistrimin, opozita maqedonase do të njohë vetëm ato të qytetarëve rezidentë. Por  të martën në Argument në TVM2, pikërisht për këtë cështje, zv drejtori i Entit shtetëror të statistikave, Ilmi Selami, tha se politikanët mund të bëjnë lojra fjalësh sa të duan, ligji shprehet qartë që cdo njeri do të  regjistrohet, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
 
"Dikush del e thotë evidentim, dikush do thotë vetëm futje në lista. Por me rëndësi ëhstë cfarë thotë ligji dhe sistemi që e kemi ndërtuar në bashkëpunim me BE-në dhe EUROSTAT-in. Aplikacioni dhe serveri funksionojnë në bazë të ligjit. Ligji thotë se bëhet regjistrimi i dy grupeve të popullatës, asaj rezidente dhe asaj jorezidente. Regjistrohen, ti gjithë ditën thuaj evidentohen po nuk pate punë tjetër. Ata REGJISTROHEN, sistemi i regjistron.", tha Ilmi Salami- zv drejtor i ESHS-së.
 
Megjithatë deklarimet  politike duket se kanë futur në huti edhe mërgimtarët. Deri në orën 8 të mëngjesit të së premtes, në aplikacionin  për vetëregjistrim, janë regjistruar 697 mërgimtarë. Numri i mërgimtarëve të regjistruar aktualisht ka kaluar shifrën 178 mijë e pritet që një numër i madh të regjistrohen gjatë kësaj fundjave, në ditët kur deri më sot dukshëm rritet numri i atyre që vetëregjistrohen nga mërgata. 
 
ERSAN PAJAZITI