Maqedoni

Protestë për rastet e montuara gjyqësore, “Duam drejtësi evropiane, jo politike”

02.04.2021 16:07

Me moton, “Pa drejtësi nuk ka qetësi” dhe brohoritjet "Duam drejtësi", “Liri vëllezërve tanë”...

Me moton, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”  dhe brohoritjet "Duam drejtësi", “Liri vëllezërve tanë”, u zhvillua protesta e radhës për rastet e montuara ndaj shqiptarëve dhe atë të fundit, "Rastin Monstra".

Bedri Ajdari, organizator i protestës dhe familjar i të burgosurve në rastin “Monstra”, tha se kërkojnë drejtësi evropiane dhe jo drejtësi që caktohet nga politika.

Ai madje kërkoi që të lirohen nga burgu, protestuesit që së fundmi u dënuan nga gjykatat e Maqedonisë së Veriut.

”I drejtohemi edhe faktorit ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-ve që të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë që të krijohet një trup i pavarur juridik i përbërë edhe nga prokurorë ndërkombëtarë i cili trup do të merrej me të gjitha rastet e montuara politike të cilat do të merrnin epilog juridik që drejtësia për këto raste të vijë në vendin e vetë” – tha organizatori i protestës, Bedri Ajdari.

Gafur Adili, nga Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, para protestuesve tha se shqiptarët janë të nëpërkëmbur edhe pse janë mbi 40% e popullsisë së këti vendi. Adili theksoi se protestat realizohen për të kërkuar drejtësi dhe jo për dëmtuar askënd.

“Protestat do të vazhdojnë, janë të drejta dhe kërkojmë hetim ndërkombëtarë për të gjitha ratet e montuara dhe ne nuk do të ndalemi këtu por do të vazhdojmë me protesta” – tha Gafur Adili nga Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut.

Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani tha se institucionet gjyqësore janë pjesë e çdo raporti ndërkombëtar.

“Një ndër kushtet e BE-së për hapjen e negociatave me Maqedoninë e veriut është reformimi i gjykatave, përfundimi i lëndëve të filluara dhe të pafilluara. Gjykatat e vendit i dënojnë shqiptarët duke përdorur standarte të dufishta, ata janë segrekacioniste, antihumane dhe rasciste” – tha Kryetari i Shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani.

Gjatë protestës u tha se represioni policor i ushtruar në protestën e parafundit dhe dënimet me burg që po iu bëhen protestuesve i ka frikësuar ato të dalin lirshëm dhe në mënyrë më masovike të shprehin revoltën e tyre. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)