Kosovë, Osmani pret votat, VV ndryshon ligjin për zgjedhje
Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje....

Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje pikërisht në ditën kur pritet të votohet për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, po shihet si presion ndaj partive të tjera se vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nëse Vjosa Osmani nuk zgjidhet presidente.
Kryesia e Kuvendit diskutoi ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet me iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo nismë u bë publike menjëherë pas informacionit se seanca e jashtëzakonshme për votimin e presidentit, mund të mbahet në orët e pasdites të së premtes.
Opozita vlerëson se ndryshimet po bëhen pa konsultime me ta. Dy parti opozitare kanë deklaruar zyrtarisht se nuk marrin pjesë në votim dhe kuorumi për votimin e Osmanit presidente është në pikëpyetje.
Osmanit, i duhen 80 vota që të zgjidhet në krye të shtetit, por nuk është e sigurt nëse do t’i sigurojë kaq, po që se seanca mbahet sot.
Nëse në dy raundet e votimit nuk arrin të marrë 2/3 e votave të deputetëve, në të tretin asaj i mjaftojnë 61 vota, me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë. Nuk dihet edhe nëse deputetët e Listës Serbe do të marrin pjesë në votim.
Në bazë të Kushtetutës, kandidatë për president më së paku duhet të jenë dy persona. Në këtë rast, kundërkandidat i Osmanit është Nasuf Bejta, i cili ka thënë se po kandidon vetëm për t’i ndihmuar procesit.
Në rast se Osmani nuk i merr votat, Kosova shkon sërish në zgjedhje.
