Pezullimi i regjistrimit, deputetët vazhduan argumentimin pro dhe kundër

02.04.2021 18:51

Kuvendi diskuton propozim ligji për ndryshimin....

Kuvendi diskuton propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë me procedurë të shkurtër. Opozita shqiptare mbetet kundër pezullimit të regjistrimit për në shtator.

Konsiderojnë se epidemia nuk është arsyeja e vërtetë për pezullim të regjistrimit por shifrat e larta të regjistrimit të disporës shqiptare. 

“Ka 3-4 vjet që lideri i shumicës dhe lideri i opozitës nuk mund të takohen. Nuk kanë vullnet. As për problemin e emrit me Greqinë, as për problemin e identitetit me Bullgarinë as për probemin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse por ja që përmes mediave u takuan për procesin e regjistrimit. Kjo është dëshmi se regjistrimi në Maqedoninë e Veriut është çështje me interest ë veçantë edhe për Hristijan Mickovskin edhe Zoran zaevin.” – tha Elmi Aziri nga ASH.

Ndërkohë, e Majta është kundër regjistrimit, posaçërisht kundër regjistrimit të diasporës. Paralajmëron vazhdimin e fushatës për bojkot të regjistrimit.

“Regjistrimi i diasporës është i pakuptimtë. Si ka kuptim që për diasporën regjistrimi nuk është i detyrueshëm dhe për qytetarët resident është i detyrueshëm?! Dhe tani shohim se si një pjesë e diasporës, për të cilën një pjesë e aparatit shtetëror po bën fushatë që ajo të regjistrohet, po regjistrohet dhe është joproporcionale me diasporën tjetër. Dhe këtu nuk mendoj vetëm për diasporën maqedonase.” – tha Borisllav Kërmov nga “E Majta”.

U kundërpërgjigjën nga BDI. Fushata për regjistrim dhe regjistrimi i diasporës do të vazhdojë, theksoi Zendeli.

“Regjistrimi i parashifet me ligj. Diaspora është pjesë e indit tonë dhe diaspora do të regjistrohet, nuk do të evidentohet. Ligji është ai që përcakton se çfarë do të ndodh me diasporën, a do të regjistrohet apo do të evidentohet. The se kampanja e juaj nuk do të ndalet për ta ndaluar regjistrimin e diasporës. Ju nuk do të ndaleni, por as ne nuk do të ndalemi me kampanjë.” – deklaroi Arta Bilalli Zendeli nga BDI.

Edhe VMRO DPMNE e habitur me deklarimet e së Majtës, kur nuk ka ndërhyrë me asnjë amendament në Ligjin për regjistrim. 

“E Majta nuk kishte amendamente në ligjin bazë dhe iu bashkangjitët amendamenteev tona. Tani shoh një paraqitje euforike dhe duhet të pranoni dhe të falënderoni VMRO DPMNE-në dhe qytetarët që dolën dhe dhanë 100 mijë nënshkrime dhe kështu e vumë pushtetin të mendojë se ky proces nuk mund të kalojë në periudhë të përhapjes massive të virusit.” – u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO DPMNE.

Me pr/ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë parashihet shtyrja e regjistrimit të popullsisë rezidente nga 5 shtatori deri më 30 shtator, ndërsa regjistrimi diasporës i cili ka filluar më 1 mars do të vazhdojë deri më 30 shtator.

Në këtë seancë janë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që parashikojnë zgjedhjet lokale të mbahen në gjysmën e dytë të tetorit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)