Bisedimet me Bullgarinë, Osmani: Prej të hënën pres dinamikë të shtuar
Me përfundimin e zgjedhjeve në Bullgarinë fqinje ministri i Jashtëm, Bujar Osmani....

Me përfundimin e zgjedhjeve në Bullgarinë fqinje ministri i Jashtëm, Bujar Osmani pret një dinamikë të re të komunikimit me qëllim që vendi të kap mundësinë optimale për fillimin e bisedimeve në samitet e qershor-korrikut të këtij viti. Sipas tij, fokusi i negociatave me Bullgarinë duhet të jetë drejtë së ardhmes e jo tek e kaluara.
Ai sqaroi se faza e parë e bisedimeve, mund edhe të mos kenë qenë qasja më e përshtatshme. Megjithatë Osmani beson se përmes qasjes së re dhe një debati racional dallimet mund të tejkalohen.
“Jam shumë optimist se prej të hënës ne fillojmë me një dinamikë të re të komunikimit me republikën e Bullgarisë, që duhet të nënkupton angazhim shtesë në muajt që vjen, me qëllim të kapjes së mundësisë optimale për fillimin e bisedimeve në samitet e qershor-korrikut të këtij viti. Ndoshta edhe qasja në fazën e parë të bisedimeve ishte jo ajo e duhura, duke u nisur drejtpërdrejt në çështjet që na dallojnë pa biseduar ende për çështjet që na bashkojnë.”,- deklaroi ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Osmani: Diplomacia e vendit me strategji reflektimi 20-30
Këto komente ministri Osmani i bëri teksa paralajmëroi strategjinë e re 10 vjeçare, për politikë të jashtme- Reflektime 20-30,të bazuar në tre shtylla dhe të përshtatur me rrethanat bashkëkohore demokratike.
“Bëhet fjalë për formimin e një doktrine të re të punës së diplomacisë, të përshtatur sipas rrjedhave të reja demokratike, pozicionimeve gjeopolitike, por edhe rrethanave të reja shoqëroro- politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”,- tha ministri i jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani.
Sipas Osmanit tre shtyllat e strategjisë do të bazohen në konsultime të gjëra me qytetarë, organizime të konferencave tematike dhe formim të një Këshilli për strategjinë e politikës së jashtme. (Naim Ramadani, TVM2)
