VMRO-DPMNE, protesta para Ministrisë së Shëndetësisë

03.04.2021 15:57

Protestën e tretë para Ministrisë së Shëndetësisë...

Protestën e tretë para Ministrisë së Shëndetësisë, VMRO- DPMNE e filloi me një minutë heshtje për 3860 të vdekurit nga Covid-19. Sipas partisë opozitare maqedonase, pushteti nuk është i aftë të menaxhojë me pandeminë dhe kërkon dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë.

Nëse Qeveria do të kishte sistem për  menaxhimin me krizën dhe do siguronte vaksina, vendi nuk do të mbante rekordin për numrin e të infektuarve dhe të viktimave nga Covid-19, thonë nga VMRO-DPMNE.

"E di se ai  nuk ka zemër dhe shpirt për të kuptuar revoltën tonë dhe rrezikun tonë për të protestuar në mes të pandemisë më të madhe. Unë e di që ai ka një zemër dhe shpirt vetëm për para, e di që ai nuk ka asnjë turp, asnjë keqardhje, asnjë virtyt të kërkojë falje ose  të tërhiqet. Përkundrazi, ai madje u përpoq përgjegjësinë ta transferonte ose ndante. Ai shëtitet me motoçikletë në të gjithë Maqedoninë, ndërsa Maqedonia lufton dhe qan, e çka është më e frikshme dhe poshtëruese, Zoran Zaev i bën shoqëri.”,- tha Dafina Stojanska nga VMRO-DPMNE.

Filipçe dhe LSDM: Opozita, e papërgjegjshme

Por ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se që nga fillimi i pandemisë po punojnë me shumë përgjegjësi dhe kujdesen për çdo pacient. Ai vlerëson se partia opozitare gjatë gjithë kohës është jokonstruktive dhe e papërgjegjshme.

“Apelet e deritanishme kundrejt opozitës nuk janë të suksesshme, megjithatë unë do t’i përsëris, le të mundohen të jenë konstruktiv, nëse nuk mund të ndihmojnë të paktën mos të na vështirësojnë punën.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkohë, nga LSDM thonë se protesta e VMRO-së është sjellje e papërgjegjshme e cila në mënyrë direkte paraqet rrezikshmëri për përhapjen e Covid-19, ndërsa VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet se edhe përkundër rrezikut ata do të vazhdojnë të protestojnë. (Sanije Duraku, TVM2)