Heshtje zgjedhore në Bullgari, pandemia mund të ndikojë në dalje të ulët

03.04.2021 17:28

Shteti fqinj, Bullgaria, të dielën mban zgjedhjet parlamentare....

Shteti fqinj, Bullgaria, të dielën mban zgjedhjet parlamentare. Për 240 vendet në Kuvendin bullgar garojnë 6895 kandidatë nga 30 parti politike dhe koalicione të regjistruara për pjesëmarrje në zgjedhje.

Një ditë para mbajtjes së tyre, analistët politikë atje vlerësojnë se situata me pandeminë mund të karakterizojë këtë proces me një dalje të ulët nga ana e qytetarëve.

“Gjithsesi, do të kemi zgjedhje jo të rëndomta për shkak të pandemisë së Kovid-19 nga disa arsye. Unë e quaj Kovid-19 cunami politik. Në 6 muajt e fundit asnjë çështje nuk mund të zgjaste në lajme më shumë se disa orë apo edhe disa ditë pa u përmbysur nga lajmet rreth Kovid-19. Padyshim që pandemia do të ketë ndikim tek këto zgjedhje, pres një dalje më të vogël nga të zakonshmet. Në Bullgari në 20 vitet e fundit dalja ka qenë mes 50/60 për qind.”,- tha analisti politik, Dimitar Ganev.

Sipas anketave të fundit edhe në këto zgjedhje favorit cilësohet partia e kryeministrit aktual, Bojko Borisov, me 28 për qind, ndërsa pas saj radhitet partia opozitare BSP me rreth 20 për qind.

Mes partive të reja që pritet të hyjnë pas këtyre zgjedhjeve në Kuvend janë partia Bulgaria Demokratike e ish ministrit të Drejtësisë, Hristo Ivanov, dhe "Drejtohu dhe Trego” e ish avokates së popullit, Maja Manollova. Sipas anketave të fundit vend, në legjislativin bullgar pritet ta sigurojë edhe partia VMRO e zëvendëskryeministrit aktual, Krasimir Karakaçanov.

Pragu zgjedhor për hyrje në Kuvendin bullgar është 4 për qind. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor mbi 20.000 persona nga Ministria bullgare e Punëve të Brendshme do të obligohen për sigurinë e 7.026 vendvotimeve në shtet.

Deri tani janë dorëzuar 144 sinjale për shkelje të rregullave zgjedhore, bëhen inspektimet preliminare të 163 dosjeve, janë ngritur 14 procedura parahetuese dhe 34 persona janë arrestuar.

Zgjedhjet në Bullgari po ndiqen me vëmendje edhe në Shkup, duke pasur parasysh veton bullgare për fillimin e bisedimeve në BE dhe kontestimin e historisë, identitetit dhe gjuhës maqedonase, që ka qenë më e theksuar sidomos nga disa politikanë bullgarë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)