Kumanovë – Likovë, shënohet Dita Botërore për Ngritjen e Vetëdijes për Autizmin
Me moton “Më prano, më kupto, më duaj”....

Me moton “Më prano, më kupto, më duaj”, në organizim të Shoqatës Kulturore “Vizioni-M” e në bashkëpunim me shoqatat për fëmijë me nevoja të veçanta “Vlera” dhe “Empatia”, në fshatin Likovë dhe në Kumanovë u organizuan aktivitete artistike kushtuar fëmijëve me autizëm. Gjithashtu u mbajtën edhe ligjërata nga profesorët, Berat Duraki si dhe Burim Zumberi.
“Vizioni-M gjithmonë ka realizuar aktivitete të këtilla, duke ia kushtuar këtë ditë fëmijëve me nevoja të veçanta, do të mundohemi që çdo vit të bëjmë aktivitete të këtilla me qëllim që të solidarizohemi me ta”,- tha Metin Ismaili – “Vizioni-M” – Likovë.
“Ne si shoqëri nuk duhet kushtuar vetëm një ditë Autizmit, por duhet kushtuar gjithë jetën. Duhet të jem realist, pasi që institucionet nuk janë në nivelin e duhur për ti ndihmuar këta persona, ato institucione të cilave u takon të merren me ta duhet të bëjnë shumë më shumë për këta fëmijë”,- theksoi Berat Duraki – Shoqata për fëmijë me nevoja të veçanta “Vlera”.
“Shoqëria jonë ka nevojë për formën se si duhet ti pranojë fëmijët me autizëm dhe si ti trajtojë ata në jetën e përditshme. Tani për tani politikat e shtetit janë të orientuara drejtë inkluzionit, gjithëpërfshirës së tyre në shkollat normale pra kjo është një gjë shumë e mirë dhe shpresojmë të realizohet me hapa më të shpejtë gjithashtu shpresojmë që ministria përkatëse për këtë fushë që fëmijët me autizëm dhe vështirësi të tjera, të përfshihen në mësime me fëmijët e tjerë”,- u shpreh Burim Zumberi – Shoqata për fëmijë me aftësi të kufizuara “Empatia”.
Nga shoqatat për fëmijë me nevoja të veçanta “Vlera” dhe “Empatia”, u bëjnë thirrje prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta që mos të hezitojnë e tu drejtohen atyre për çfarëdo lloj ndihme që u nevojitet, pasi që, siç thonë, ata janë gjithmonë në shërbim të tyre. (Fatlum Aqifi, TVM2)
