Afrim Ismailoviç u arrestua në Prishtinë

03.04.2021 16:50

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës...

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar MPB-në e RMV-së se personi, Afrim Ismailoviç, është arrestuar në Prishtinë dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit.

Ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së kanë kërkuar që i njëjti të ekstradohet, pasi është i dënuar me burg të përjetshëm në RMV për rastin “Monstra”.                                                                                                                                                                                                          

“Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor pranë MPB-së ka pranuar një informim zyrtar nga kolegët kosovarë, se në territorin e Kosovës është arrestuar personi, Afrim Ismailoviç, për të cilin nga pala maqedonase është lëshuar fletëarrest ndërkombëtar dhe të njëjtit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orëve. Prandaj presim që Kosova të sjellë vendim për ekstradim të personit në fjalë.”,- u tha nga MPB e RMV-së.

MPB dhe Zaev kërkojnë ekstradimin e tij në Shkup

Ekstradimin e Ismailoviçit e ka kërkuar edhe kryeministri, Zoran Zaev, i cili potencoi se mes të dy vendeve ka marrëveshje ndërkombëtare, me të cilën dy vendet zotohen se personat e kërkuar duhet të ekstradohen.                                          

“Ministri i Punëve të Brendshme mbrëmë vonë më ka informuar se njëri nga të dënuarit në rastin “Monstra” është arrestuar në Kosovës, dhe ne menjëherë kemi kërkuar ekstradim dhe këtë procedurë jemi duke e finalizuar. Vendet tona që më herët ka dërguar dokumentacion se i njëjti dyshohet këtu. Prandaj pres nga qeverisja atje edhe pse janë të rinjtë në ato pozita, por do të na përgjigjet pozitivisht kërkesës sonë. Kjo do të forcojë bashkëpunimin midis dy vendeve. Sigurisht, askush nuk është fajtor derisa të konfirmohet me vendim të formës së prerë, por besoj se në këtë rast konfirmohet me vendim gjykate. Unë pres që autoritetet në Kosovën mike të respektojnë ligjin dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ekstradojnë personin.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Nga ana tjetër, avokati i Ismailoviçit, Besnik Berisha, një ditë më parë në Prishtinë ka njoftuar se pasi u konstatua se ndaj Ismailloviç kishte një urdhër arresti ndërkombëtar prokurori kompetent kishte urdhëruar paraburgimin e tij për 48 orë. Sipas tij, arrestimi është i paligjshëm, sepse për të njëjtën krim klienti i tij u dënua më herët dhe u la i lirë, ndërsa aktualisht po pret përfundimin e procedurave në lidhje me kërkesën e tij për azil në Kosovë.

Në vitin 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë pati vendosur të mos lejohet ekstradimi i dy të pandehurve të parë në rastin "Monstra”, Afrim Ismailovic dhe Alil Demiri. (Fitim Kryeziu, TVM2)