Metodologjia për regjistrimin e popullsisë, Zaev: Janë çështje teknike, s’ndërhyjmë në thelb

03.04.2021 17:12

Regjistrimi i popullsisë do të zhvillohet sipas metodologjisë së Eurostat....

Regjistrimi i popullsisë do të zhvillohet sipas metodologjisë së Eurostat, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev, sipas të cilit është e patolerueshme që të ndërhyhet në thelbin e metodologjisë.

Sipas kryeministrit, kontestuese në takimin me oponentin e tij politik Mickovski ka qenë aspekti teknik dhe jo përmbajtjesor.

“Pasi që për disa muaj është shtyrë regjistrimi, dhe nuk garantohet që regjistruesit e zgjedhur të mbeten regjistrues pasi që sipas kritereve ata duhet të jenë të papunë dhe në këtë periudhë edhe mund të punësohen. Bëhet fjalë për aspekte teknike e patolerueshme është që të ndërhyjmë në thelbin dhe strukturën e metodologjisë pasi që kjo është e vërtetuar nga Eurostat dhe nga gjitha partitë politike. Pikërisht edhe vetë Mickovski kërkoi që pikërisht ato aspekte teknike të zgjidhen pasi që u akuzua se nuk është kërkuar metodologjia. Ne biseduam për këtë punë dhe besoj se bashkë me Entin e Statistikës do të zgjidhen edhe aspektet e tilla teknike.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Prononcimi i Zaevit vjen pas deklarimeve nga VMRO – DPMNE se s’do pranojnë rezultat të regjistrimit nëse i njëjti nuk realizohet sipas metodologjisë së Eurostat, e cila përfshinë regjistrimin vetëm të rezidentëve, gjegjësisht atyre që për 12 muaj e fundit vendbanimin e kanë pasur në vend dhe nuk e kanë ç’lajmëruar.

Këtë Mickovski ua ka kumtuar edhe përfaqësuesve të iniciativës “Nuk hap derën”.

Ndërkohë s’kanë munguar reagimet nga BDI, ASH-Alternativa dhe Lëvizja Besa se nuk do të pranojnë regjistrim pa diasporën.

E Majta: Mospajtime me partitë shqiptare për regjistrimin

E Majta reagimet e tilla i ka quajtur anti europiane, duke kërkuar nga partitë shqiptare që t’i ndërpresin të njëjtat.

“Pohimi i zëvendëskryeministrit Grubi se diaspora është pjesë e popullatës dhe e njëjta numërohet është në kundërshtim me rregullativën ligjore të BE-së. E njëjta përjashton  nga popullsia vendase të gjithë ata që jetojnë jashtë vendit të regjistrimit, në periudhë prej një vit ose më shumë.”,- reagojnë nga E Majta.

ASh-Alternativa: Regjistrimi u shty për shkak të diasporës shqiptare

Ndërkohë nga ASH- Alternativa edhe njëherë kanë vlerësuar se regjistrimi u shty jo për shkak të pandemisë por për shkak të numrit të shqiptarëve që u regjistruan në diasporë.

“Kur doli puna se shqiptarët vetëm në mërgatë e kaluan 200-mijëshin e të regjistruarve, ndërsa pala maqedonase e bojkotonte regjistrimin, dy liderët e partive më të mëdha maqedonase, ai i LSDM-së – Zaev, dhe ai i VMRO-DPMNE-së –Mickovski, u takuan kokë më kokë në një takim monoetnik, me qëllim që ta shtyjnë regjistrimin”, theksojnë mes tjerash nga ASH-Alternativa duke lëshuar kritika edhe ndaj BDI-së deputetët e së cilës votuan pro shtyrjes së regjistrimit.

Të premten kuvendi miratoi propozim ligjin e qeverisë që regjistrimi të shtyhet më 5 shtator pasi kjo u dakordua në takimin Zaev – Mickovski me arsyetimin se regjistruesit mund të përhapin pandeminë. (Meral Ismaili, TVM2)