Strugë, Inspektorati i Tregut: Objektet hotelierike tani i respektojnë më shumë masat

03.04.2021 17:55

Inspektorati i Tregut dhe Policia në Strugë....

Inspektorati i Tregut dhe Policia në Strugë kryejnë inspektime në baza ditore. Në tre muajt e parë të këtij viti, janë kryer 3800 inspektime dhe janë regjistruar vetëm 17 shkelje, njëra prej të cilave i referohet shkeljeve të protokolleve shëndetësore. Objektet gastronomike dhe qytetarët janë më të disiplinuar, krahasuar me vitin e kaluar. Nuk ka shkelje jashtë orarit, as nuk organizohen festime masive në objektet e hotelierisë.

“Në krahasim me vitin 2020, ku kishim komplet 32 padi penale, d.m.th. këtu dasmat, ditëlindjet, mosrespektim të orarit të punës, etj, në tre mujorin e parë të 2021 mund të themi se kemi vërejtur një gjë të tillë, d.m.th. ka më shumë respektim të protokollit të qeverisë. Ne jemi në teren me dy ndërrime dhe me koordinim të vazhdueshëm me policinë.”,- tha drejtori i Inspektoratit të Tregut, Shpendim Iljazi.

Në rrjetet sociale shumë qytetarë shkruajnë për dasmat me mbi 100 të ftuar në oborret e shtëpive, por nga Inspektorati thonë se ata nuk bëjnë kontrolle nëpër shtëpi.

“Për dasma nëpër shtëpi ose oborre ne nuk kemi ingerenca ligjore, d.m.th. ne kemi ingerenca vetëm për shërbimet hotelierike.”,- theksoi drejtori i Inspektoratit të Tregut, Shpendim Iljazi.

Vitin e kaluar, inspektorët e tregut në Strugë paraqitën 36 kallëzime penale kundër objekteve gastronomike të cilët nuk ishin në përputhje me protokollet. Mosrespektimi i orarit dhe distanca e pamjaftueshme e tavolinave ishin shkeljet më të zakonshme.

Vitin e kaluar ka pasur objekte gastronomike që kanë marrë gjoba më shumë se një herë ndërsa këtë vit nuk ka përsëritje të shkeljeve. (Ilmije Zhaku, TVM2)