Filipçe: Të hënën fillon vaksinimi masiv

03.04.2021 17:41

Të hënën në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup...

Të hënën në Qendrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup do të fillojë vaksinimi masiv me vaksinën ruse “Spitnik V” - donacion nga Serbia.

Tanimë janë caktuar edhe 3000 terminet e para për vaksinim të personave nga infrastruktura kritike, përkatësisht të punësuar në MPB, ARM, gazetarë dhe sektorë tjerë. Gjithçka është gati që ky punkt të funksionojë pa probleme thotë ministri i shëndetësisë, Venko FIlipçe.

Ai beson se edhe qytetarët do të shprehin interesim për t’u vaksinuar si rrugë e vetme për të ndryshuar gjendjen me pandeminë.

“Procesi i vaksinimit nëpër të gjitha punktet po shkon mirë. Dje u vaksinuan 1300 njerëz. Për të hënën këtu në këtë sallë janë caktuar rreth 3000 termine, që do të thotë se mesatarisht për fillim në tërë vendin do të vaksinohen rreth 4 mijë njerëz në ditë, ndërsa ky numër besojmë se për kohë të shkurtër do të arrijë në 7 mijë persona.”,- tha VENKO FILIPÇE nga MSh.

Mjekët: Gjitha vaksinat janë të sigurta, dallon efikasiteti

Apel për vaksinim të qytetarëve edhe nga personeli mjekësor.                        

“Apeli gjithsesi tek të gjithë qytetarët që kanë mundësi të vijnë të vaksinohen, sepse kjo është mënyra e vetme që të mund të mbrohemi, të mbrojmë veten, familjen dhe të afërmit tanë. Të gjitha vaksinat janë të sigurta, vetëm dallojnë për nga efikasitetit.”,- theksoi mjeku, Denis Jankullovski.

Filipçe: Shumë të rinj po përfundojnë me fatalitet

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, theksoi se aktualisht është tejet i lartë numri i Kovid pacientëve në trajtim spitalor. Por, edhe pse të gjithëve u ofrohet ndihmë mjekësore, një pjesë e pacientëve, përfshi edhe pacientë të moshës së re përfundojnë me fatalitet.                                                                                                                         

“Gjithkund në Evropë, gjithkund në vendet fqinje po ndodh e njëjta. Për fat të keq ka njerëz të rinj tek të cilët ka përkeqësim të gjendjes shëndetësore, ndodh në afat prej disa orësh dhe edhe përkundër terapisë në përpjekje që të mos vijë te përkeqësimi apo të pengohet përkeqësimi, për fat të keq ndonjëherë nuk jep rezultate. I tillë është manifestimi i mushkërive të bardha që edhe përkundër përpjekjeve jetët e pacientëve nuk mund të shpëtohen.”,- u shpreh Venko Filipçe nga MSh.                                                                                            

Nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se në trajtim spitalor në Kovid qendrat në tërë vendin ndodhen 1684 pacientë, ndërsa në 24 orët e fundit vetëm në Shkup janë shtruar 103 pacient të rinj. (Gyltene Sinani, TVM2)