Italia mbyllet për Pashkët, Gjermania e Franca ashpërsojnë masat
Italia do të jetë në një izolim të rreptë treditor....

Italia do të jetë në një izolim të rreptë treditor për festën katolike të pashkëve. Të gjitha rajonet janë klasifikuar në “zonën e kuqe”, ku do të zbatohet niveli më i lartë i kufizimeve. Vendi po përballet me një valë të tretë infeksionesh që i kanë tejkaluar rreth 20,000 raste të reja në ditë.
Edhe këtë vit, Papa Françesku do të japë mesazhin e tij të pashkëve në sheshin bosh të Shën Pjetrit. Qeveria italiane ka blinduar rajonet duke vendosur në gatishmëri rreth 70,000 policë shtesë në mbikëqyrje të zbatimit të kufizimeve.
Edhe Franca gjendet e izoluar në shkallë kombëtare për tre javët e ardhshme, ndërsa masat janë ashpërsuar edhe në Gjermani.
Brenda 24 orëve Më shumë se 659.000 njerëz janë infektuar me koronavirus ndërsa vetëm dje janë regjistruar 11.626 raste të vdekjes si pasojë e Covid-it njoftojnë nga OBSH. Numër më të madh të rasteve ka pasur në Evropë – 41 për qind (275.728 raste), pastaj vijojnë Amerika Veriore dhe Jugore (220.227) dhe Azia Juglindore.
Nga ana tjetër pasiguritë për vaksinën Astrazeneca vazhdojnë.
Në Britaninë e Madhe ku janë injektuar 18 milionë doza të kësaj vaksine, autoritetet raportojnë 30 raste të mpiksjes së gjakut. Agjencia britanike e barnave deklaron se “Në bazë të këtij studimi në vazhdim, përfitimet e vaksinimeve kundër Covid-19 janë akoma më të mëdha se rreziqet”.
Por në Gjermani, të rinjve u rekomandohet të përdorin vaksinë tjetër për dozën e dytë. Numri i personave që janë shëruar pas infektimit me COVID-19 në mbarë botën ka tejkaluar shifrën 105 milionë.
Tri vendet e para me numrin më të lartë të rasteve në botë në të njëjtën kohë janë gjithashtu edhe vendet ku janë shëruar më shumë persona.
Numri më i madh i personave të shëruar është regjistruar në SHBA Indi dhe Brazil Ndërkohë në të gjithë botën ende janë në trajtim 22.478.623 persona. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
