Botë
I gjithë globi në karatinë për Pashkë, OBSh: 10% e evropianëve kanë marrë një dozë të vaksinës
04.04.2021 20:01
Miliona vetë në mbarë botën janë nën urdhra të reja për të kufizuar aktivitetet në prag të Pashkëve...

Miliona vetë në mbarë botën janë nën urdhra të reja për të kufizuar aktivitetet në prag të Pashkëve, si rezultat i shtimit të infeksioneve nga koronavirusi, megjithë vazhdimin e vaksinimeve. Italia vendosi kufizime tri ditëshe duke ndaluar grumbullime të mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit për të dytin vit radhazi në kohën e kremtimeve të Pashkës.
Në Francë, hyjnë në fuqi masa të reja, pasi në këtë vend po përhapet me shpejtësi një variant i ri më infektues që ka sjellë mbushjen e reparteve të reanimacionit në spitale. Edhe Belgjika dhe vende të tjera evropiane kanë reaguar me masa të ngjashme.
Në Gjermani, pandemia ka thelluar mosbesimin ndaj autoriteteve. Presidenti I Gjermanisë u bëri thirrje gjermanëve të bashkohen ndërsa vendi përballet me Pashkët e dyta radhazi të shoqëruara me rritje të infektimeve dhe pakënaqësi lidhur me masat qeveritare. Nga OBSH thonë se në Evropë, ritmet e vaksinimit kanë qenë zhgënjyese.
"Vetëm 10% e evropianëve kanë bërë një dozë vaksine dhe pak më shumë se 4% janë të imunizuar plotësisht kundër COVID-19 kjo është shqetësuese. Javën e kaluar u bëra një kërkesë urgjente vendeve me doza të vaksinave kundër covid-19 që janë autorizuar për përdorim emergjent nga OBSH, të japin menjëherë 10 milionë doza për programin Covax. Sfida është e madhe, por ne ende nuk po shohim angazhim për sigurimin e dozave të nevojshme”, u shpreh drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Gebreyesus.
Në anën tjetër të Atlantikut, provinca kanadeze e Ontarios është nën raundin e tretë të masave kufizuese që duke filluar nga e shtuna do të reduktojnë aktivitetin për 28 ditë.
Edhe në Kanada ka pasur përhapje të varianteve të reja më ngjitëse të koronavirusit. Përveç Ontarios, edhe provincat e Kebekut dhe “British Kolumbias” kanë vënë kufizime.Brazili po përjeton një nga goditjet më të rënda të kësaj pandemie pasi varianti i ri i zbuluar për herë të parë në këtë vend vazhdon të përhapet duke alarmuar mbarë Amerikën Latine.
Bolivia ka mbyllur kufirin me Brazilin; Kili ka mbyllur plotësisht kufijtë dhe Ekuadori e Peruja kanë vënë në zbatim masa kufizuese.
FARIJE DAUTI BAKIU
