Maqedoni

Qeveria me masa të reja restriktive, ora policore fillon prej orës 20:00

05.04.2021 15:05

Orë policore prej orës 20 deri në orën 5 të mëngjesit në gjithë territorin e shtetit si dhe mbyllje e të gjithë objekteve hotelerike....

Orë policore prej orës 20 deri në orën 5 të mëngjesit në gjithë territorin e shtetit si dhe mbyllje e të gjithë objekteve hotelerike. Këto janë vetëm disa nga masat e reja restriktive të Qeverisë pas rritjes enorme të rasteve të reja me Covid-19 dhe numrit të lartë të vdekshmërisë. 
 
“Kemi marrë vendim për masa të reja shtesë me qëllim të vetëm, ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen e të gjithë qytetarëve. E para ndalesë dhe regjim i posaçëm i lëvizjes së qytetarëve në territorin e shtetit në periudhën kohore nga ora 20:00 deri në 05:00 të mëngjesit, edhe atë prej nesër, e martë, 6 prill, deri më 20 prill.  Ndalohet vizita e klientëve nëpër të gjitha objektet hotelerike, kafene, bare, klube dhe objekte tjera të cilat japin shërbime hotelerike, si dhe objekte hotelerike për vendqëndrim, si hotele dhe motele apo edhe në stacionet e benzinës. Ndërsa objektet hotelerike që përgatisin dhe shesin ushqim këtë mund ta bëjnë përmes rrugëve alternative, online, apo përmes porosive telefonike.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Në vendimin e sotëm të Qeverisë, parashihet edhe mbyllje e klubeve të fitnesit, bastoreve dhe me këtë, edhe ndërprerje e aktiviteteve për trajnim dhe konferenca. Nga 6 prilli deri më 20 prill, do të mbyllen klubet e fitnesit dhe ndalohen konferenca dhe mbajtja e trajnimeve, ndërkaq nga 7 prilli deri më 20 prill, mbyllen bastoret, njoftoi më tej Zaev. Ministri i Shëndetësisë, Filipçe, tha se sistemi shëndetësor është mjaft i ngarkuar dhe përmes këtyre masave synohet të stopohet presioni mbi personelin shëndetësor.
 
“Kemi numër të madh të pacientëve nëpër spitale, kemi tani një karakteristikë tjetër ku trajtimi zgjat diçka më shumë se vitin e kaluar, që bëhej me pacientë të infektuar me virusin dhe kjo përbën një ngarkesë shtesë nëpër të gjitha institucionet shëndetësore, por edhe për personelin mjekësor. Festat që janë në vijim në mënyrë shtesë mund ta komplikojnë situatën epidemiologjike dhe në atë drejtim nuk mund të lejojmë në të gjithë atë periudhë një ngarkesë shtesë të sistemit shëndetësor, pasi diçka të tillë vështirë do të mundemi ta menaxhojmë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Zëvendësministri, Ilir Hasani, theksoi se është i vetëdijshëm për këtë mbyllje në prag të Ramazanit, por tha se është alternativa më e mirë për të pasur festën e Bajramit me masa të liruara.
 
“Gjendemi në prag të festave fetare dhe jemi të gjithë të vetëdijshëm për atë, por edhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm për situatën të cilën gjendemi. Ne menduam dhe mendojmë në mënyrë proaktive dhe gjendemi para dy zgjedhjeve, kemi Ramazan dhe agjërojmë të kufizuar ose të kemi Bajram dhe Pashkë të mbyllur. Nëse nuk sjellim vendime të rrepta në këtë fazë sigurisht që do të ballafaqohemi me mbylle gjatë Bajramit dhe Pashkëve.”,- u shpreh zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani.
 
I pyetur nëse këto masa është dashur të ndëmerren më herët, kryetari i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhovski, theksoi se vlerësimi i situatës nga ana e komisioni bëhet çdo dy javë dhe se mu në këtë moment është vlerësuar se nevojiten këto masa. 
 
“Gjendja epidemiologjike është e pasigurt. Nga këto masa mund të japim kohë për pushim punonjësve mjekësorë. Më pas të lejojmë autoritetet shëndetësore të sigurojnë kapacitete të reja. Ato kapacitetet që janë duke rinovuar me vendosjen e përkrahje me oksigjen të mbarojnë. Të mund të sigurojmë sa më shumë vaksina.”,- tha kryetari i Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, Zharko Karaxhovski.
 
Ndërkohë, nga Ministria e Ekonomisë pas këtij vendimi rekomandon që të gjitha objektet hotelierike të mos bëjnë furnizime shtesë këto ditë në mënyrë që të shmangen humbjet më të mëdha nga kufizimet e paraqitura në punë. Shtojnë se janë duke punuar vazhdimisht për të mbështetur sektorin e turizmit dhe hotelierisë në mënyrë që të menaxhohet më lehtë me efektet negative gjatë kësaj mbyllje. 


ZEKIRJA MEXHITI