Botë
Covid-19, protesta në Europë kundër masave kufizuese
05.04.2021 15:46
Rritja e numrit të personave të infektuar në Evropë ka detyruar shumë vende të vendosin masa kufizuese, të cilat janë pritur me protesta në disa vende

Rritja e numrit të personave të infektuar në Evropë ka detyruar shumë vende të vendosin masa kufizuese, të cilat janë pritur me protesta në disa vende. Në Kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, prej një jave po protestohet kundër masave kufizuese, të vendosura nga qeveria. Ndërkohë, në qytetin e San Gallos, në Zvicër, protestuesit kanë sulmuar policinë, që ka kërkuar të shpërndajë grupe të rinjsh të mbledhur në një nga qendrat e qytetit. Protesta është ashpërsuar kur të rinjtë nisën të hedhin Molotov, ndërsa policisë ka hedhur gaz lotsjellës dhe të shtëna me plumba gome. Lëvizjet “anti-konformiste” ndaj masave shtrënguese janë shtuar edhe në Gjermani. Mijëra njerëz protestuan në Stuttgart kundër kufizimeve mes një debati të nxehtë në të gjithë Gjermaninë për shtrëngimin e masave përballë një vale të tretë të COVID-19.
Ndërsa në Francë ka shpërthyer revolta e artistëve të spektaklit. Protesta janë zhvilluar përpara Ministrisë së Kulturës në Paris, kundër mbylljes së kinemave dhe teatrove. Por nga Instituti i Shëndetit Publik në Francë kanë njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 185 të vdekur, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 96 mijë e 678. Franca po ashtu ka regjistruar 66.794 raste të reja të personave të infektuarve me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 në 24 orët e fundit në Gjermani u rrit për 8497 persona. Ndërkohë Kina ka paralajmëruar se do të vaksinojë një rajon me rreth 300 mijë njerëz pas shpërthimit të koronavirusit pranë kufirit me Mianmarin. Vaksinimi vjen pasi autoritetet lokale raportuan një grup prej 15 rastesh të reja me COVID-19, rritja më e madhe ditore e Kinës në më shumë se dy muaj.
REJHANE BUSHI METAJ
