Maqedoni
ASh: Libri i sociologjisë ka përmbajtje ofenduese, Carovska ta tërheq nga përdorimi në shkolla
05.04.2021 15:57
Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët sërish para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë djegur faqe nga librat e shkollave...

Të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët sërish para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë djegur faqe nga librat e shkollave të mesme për shkak të përmbajtjes ofenduese ndaj shqiptarëve. Omer Ajdini nga ASH ka deklaruar se libri i sociologjisë për vitet e dyta të Gjimnazit, në mënyrë degraduese i përshkruan shqiptarët dhe komunitetet tjera jomaqedonase. Në këtë libër thuhet se shqiptarët dhe komunitetet tjera shumohen në mënyrë të pakontrolluar e që është si pasojë e edukimit arsimor.
“Ky libër më konkretisht në faqen 116 thotë se nataliteti tek shqiptarët, turqit dhe romët është pasojë e mungesës së edukimit dhe si i tillë si fenomen ndodh në mënyrë të pakontrolluar. Ky përshkrim është johuman, sepse në mënyrë jo të kontrolluar shumohen vetëm kafshët, por jo edhe njerëzit. Gjatë këtyre viteve kemi pasur katër ministra shqiptarë të MASh-it të cilët në performancë kanë toleruar që të shpërndahet albanofobi dhe fashizëm në këtë shtet, i cili edhe sot po rezulton me pasoja siç është rasti me regjistrimin, sepse siç duket këto libra kanë mbjellë në mentalitetin e palës maqedonase frikën nga nataliteti i shqiptarëve.”,- deklaroi Omer Ajdini nga ASh.
ASh po ashtu i ka dërguar një letër zyrtare ministres së arsimit, Milla Carovska, ku kërkohet që në mënyrë urgjente, ta tërheq nga përdorimi këtë libër. Ky libër është botuar në vitin 2002, ndërsa është ribotuar në vitin 2020.
FITIM KRYEZIU
