Vala e tretë më e forta deri tani, Filipçe: Silluni me përgjegjësi, respektoni masat

06.04.2021 14:30

Këtë të martë në orën 20:00....

Këtë të martë në orën 20:00, nis aplikimi i masave të reja të ndalesës për lëvizje, që do të jenë të vlefshme për dy javët e ardhshme. Masat u morrën pas rritjes drastike të shifrave të fataliteteve dhe rasteve të reja, që ngarkuan edhe një herë sistemin shëndetësor.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se masat u morën duke pasur parasysh edhe dy festat fetare para nesh, Pashkën Ortodokse dhe muajin e Ramazanit, por mohon se janë të motivuara politikisht

“Para nesh janë festat dhe duke marrë parasysh përvojën e vitit të kaluar kur festa të tilla, posaçërisht agjërimi i Ramazanit dhe Pashkët në të njëjtën periudhë, seriozisht e komplikuan situatën epidemiologjike, ne besojmë se nëse ndodh tani me një sistem shëndetësor vecmë të ngarkuar, do të vijmë në një  situatë krize që do të jetë e vështirë të menaxhohet. Kjo është arsyeja për marrjn e masave kufizuese shtesë, për t'i dhënë fund kësaj vale të tretë dhe deri më tani të fortë të Covid-19. Besoj se qytetarët do t'i përmbahen të gjitha këtyre masave. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se me sjelljen tonë, përgjegjësinë, mbajtjen e maskës dhe mbajtjen e distancës, kontribuojmë në përfundimin e kësaj vale në kohën më të shkurtër të mundshme” – tha Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Imunizimi i popullatës, Filipçe: Synojmë të arrijmë 7000 vaksinime në ditë

Vazhdon ndërkohë edhe imunizimi masiv i kategorive kritike.

“Procesi i imunizimit vazhdon në të gjitha qendrat shëndetësore në të gjithë vendin për qytetarët mbi moshën  77 vjeç. Nëse arrijnë vaksina shtesë, kufijtë e moshës do të ulen. Numri optimal që duam të arrijmë është që të kemi rreth 7,000 vaksinime në ditë. Kjo shifër mund të rritet, por ne po shkojmë hap pas hapi” – deklaroi Filipçe.

Ditëve në vijim pritet të vijnë edhe 20 mijë vaksina Sputnik V, si pjesë e donacionit të gjithsej 40 mijë dozave nga Serbia. Filipçe tha se  brenda prillit pritet të arrijnë edhe vaksinat kineze dhe ato Pfizer, që do të rrisnin  edhe numrin e  të vaksinuarve në bazë ditore. Aktualisht në vend janë kryer 10 mijë vaksinime. (Sedat Selimi, TVM2)