Mbyllja e objekteve gastronomike, gastronimët: Shëndeti primar, nevojitet ndihmë

06.04.2021 15:04

Është kafja e fundit të cilën qytetarët po e pijnë para masave të reja restriktive....

Është kafja e fundit të cilën qytetarët po e pijnë para masave të reja restriktive, të cilat parashohin mbylljen e lokaleve, kafeneve, restoraneve dhe objekteve tjera gastronomike nga e merkura. Të gjitha objektet gastronomike do të jenë të mbyllura nga 7 prilli deri më 20 prill. Lokalet do të mund të punojnë vetëm përmes sistemit merr dhe shko. Ndërkaq, bastoret dhe klubet e fitnesit do të qëndrojnë totalisht të mbyllura.

Por si i presin këto masa pronarët e objekteve gastronomike. Ata për TVM2 thonë se për ta me rëndësi primare është shëndeti i qytetarëve. Por apelojnë që të ndihmohen përmes masave të ndryshme nga qeveria, pasi përndryshe janë në skaj të falimentimit.

“Nëse është për të mirën e qytetarëve dhe për të mirën e gjithë neve, atëherë i mbështesim, me atë që shpresojmë të kemi njëfarë lloj ndihme nga qeveria e Maqedonisë së Veriut. Na nevojitet që të na ndihmojë që ne gastronomët të përballemi me pasojat që na presin pas mbylljes së bizneseve tona” – tha Nedim Jonuz, pronar lokali.

“Ne shpresojmë që është për të mirën e qytetarëve nga ana e virusit apo nga ana e shëndetsisë, mirëpo mendoj se këto masa kanë mundur të jenë më të buta ose më ndryshe, ngaqë nuk kemi aq forcë me i përballu këto masa si e parasheh qeveria jonë. Ne presim ndhma prej qeverisë, nëse e zhbllokojnë parlamentin dhe bëjnë marrëveshje për pakon e pestë, kinsë për pakon e pestë se nuk ka pasur asnjë pako si duhet. Ka qenë vetëm një pako për qytetarët.” – u shpreh Albion Xhemaili, menaxher lokali.

Nga qeveria paralajmëruan se do të përforcojnë kontrollet në terren, me të vetmin qëllim që të sigurojnë zbatimin e lotë të masave dhe në këtë mënyrë të ulet numri i lartë të të infektuarve nga virusi covid 19.  (Ersan Pajaziti, TVM2)