Maqedoni

Qeveri, shënohet Dita Ndërkombëtare e Romëve

07.04.2021 14:53

Organizata të romëve, përfaqësues politik të kësaj bashkësie dhe zyrtarë qeveritarë organizuan manifestim rasti në prag të 8 prillit...

Organizata të romëve, përfaqësues politik të kësaj bashkësie dhe zyrtarë qeveritarë organizuan manifestim rasti në prag të 8 prillit - Ditës Botërore të Romëve dhe 50 vjetorit të Kongresit të Parë të Romëve.
 
“Këtë vit janë 50 vite jubilare nga Kongresi i Parë i Romëve i mbajtur në muajin  prill në Londër, në vitin 1971. Kjo edhe më shumë e konfirmon pjekurinë dhe kërkesat e arsyeshme që i kanë romët, për tejkalimin e sfidave me të cilat ata përballen në vende të ndryshme me sfida të ndryshme. Maqedonia e Veriut mund të mburret me qëllimet e sinqerta për integrimin e romëve. Këtë e dëshmon me përfshirjen e romëve në kushtetutë si bashkësi etnike, me strategjitë dhe planet aksionare me ndarjen e mjeteve financiare për romët.”,- tha deputetja, Latife Shikovska.
 
“Po shënojmë disa përvjetore të mëdha 50 vjetorin e Kongresit Botëror të Romëve, të Unionit Ndërkombëtar të Romëve, jubile i shënuar me shkronja të arta në historinë e popullit rom në tërë botën. Histori të cilën romët po e shënojnë me flamurin zyrtar dhe himnin, 31 vjet nga shpallja e 8 prillit për Ditë Ndërkombëtare të Romëve nga ana e Kombeve të Bashkuara dhe 20 vite nga përfshirja e romëve në kushtetutën e vendit tonë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Dikasteri që unë drejtoj, paraqet shtëpi institucionale për të gjitha komunitetit dhe përpiqemi që të angazhohemi për të mirën e përgjithshme, e në këtë rast, për të mirën edhe të qytetarëve të komunitetit rom. Por, njëkohësisht, ligjet, rregullat, parimet, të jodiskriminimit, të inkluzionit dhe qasjes varen nga faktori njeri, prej vetëdijes së ndërtuar dhe ndjenjës së përgjegjësisë. Këto synime për të drejta të barabarta dhe një jetë dinjitoze janë mbi të gjitha një dëshirë për të ndërtuar shoqëri gjithëpërfshirëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa janë besim i sinqertë se kjo është rruga e përbashkët për në Bashkimin Europian, si përcaktim për të kultivuar shoqëri të barabartë pa dallime sociale,etnike, kombëtare, fetare dhe kulturore.”,- deklaroi ministri për Sistem Politik Dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi.
 
Njëherit u theksua se romët në vendin tonë kanë potencial për ta udhëhequr çështjen e integrimit personal dhe për të qenë shembull për të tjerët në rajon. Romët në Maqedoninë e Veriut kanë përfaqësim politik në Qeveri, në Kuvend, në komuna dhe në institucione. 
 
GYLTETE SINANI