Maqedoni
Kumanovë, rritet numri i të infektuarve me Kovid-19, 90 pacientë të shtrirë në spital, kurse 104 tjerë po kurohen në spitalin ditor
07.04.2021 15:25
Situata me krizën Korona në Kumanovë po shkon duke u përkeqësuar...

Situata me krizën Korona në Kumanovë po shkon duke u përkeqësuar, numri i pacientëve të cilët po kërkojnë ndihmë në Kovid qendrën në Spitalin e Kumanovës po shkon duke u rritur, kurse për këtë arsye spitali ka angazhuar të gjitha kapacitetet e mundshme mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm Mjekësor.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Kumanovë kemi 90 pacientë të shtrirë për mjekim dhe madje 104 të cilët kurohen në spitalin ditor. Është ky numër i madh i pacientëve, prandaj edhe kemi angazhuar tërë kapacitetin ekzistues mjekësor të spitalit, pra edhe nga repartet tjera, pasi që kemi pacientë edhe me diagnoza tjera shoqëruese të të infektuarve me Kovid-19. Aktualisht kemi edhe vetëm 13 shtretër të lirë”,- tha drejtoresha e Spitalit, Snezhana Zaharieva.
Brengos fakti se ka pacientë me pasqyrë të rëndë klinike edhe atë të moshave të ndryshme, e në këtë valë të pandemisë numër të madh të moshës nga 30-40 vjeç.
“Struktura e moshës të të infektuarve ka ndryshuar në krahasim me dy valët e mëparshme të pandemisë. Brengosëse është se, deri sa në dy valët e mëparshme kishim pacientë mbi 60 e 70 vjeç, tani kemi numër gjithnjë më të madh të moshës më të re edhe atë nga 30-40 vjeç. Por, shpresojmë se me masat e reja të autoriteteve në vend dhe me vaksinimin e popullatës do të fillojë të ulet numri i të infektuarve.”,- deklaroi drejtoresha e Spitalit, Snezhana Zaharieva.
Edhe kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili në emër të komunës solli një donacion me pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor kurse me vendim të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, prej sot të gjitha ndërmarrjet do të qëndrojnë në dispozicion të Spitalit.
“Nga sot, me vendim të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, të punësuarit në administratën komunale dhe ndërmarrjet publike do të aktivizohen në ndihmë vullnetare për të ndihmuar spitalin në pjesën e transportit dhe furnizimit me bombola të oksigjenit, pasi që nevoja për oksigjen po shkon duke u rritur çdo ditë e më tepër.”,- tha ndër të tjera kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Ndryshe, në rajonin e Kumanovës është rritur dukshëm numri i rasteve aktive, duke arritur në madje 1047.
FATLUM AQIFI
